Pesë të arrestuar në Prizren, konfiskohet një sasi narkotikësh dhe disa armë

Pesë të arrestuar në Prizren, konfiskohet një sasi narkotikësh dhe disa armë

Policia e Kosovës sot në Prizren ka arrestuar pesë persona dhe ka konfiskuar disa armë dhe një sasi narkotikësh.   

Gjatë kontrollit të një veture me targa vendore, në të cilën ndodheshin shtetasit kosovarë E.T. (1997), T.L., (2002) dhe V.S., janë gjetur dy armë dhe një sasi substance që dyshohet të jetë marihuanë.

Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe është kërkuar leje nga gjyqtari i procedurës paraprake për kontroll të objekteve.

Pas marrjes së urdhrit policia ka kontrolluar një lokal dhe një banesë në Prizren, ku është gjetur edhe një armë tjetër zjarri dhe disa qese me substancë që dyshohet të jetë narkotike.


Në ndërkohë janë ndaluar edhe dy të dyshuar tjerë, te lokali dhe në banesë: L.H., (1987) dhe D.M., (1998).

Policia si dëshmi te vetura, lokali dhe në banesë ka gjetur dhe sekuestruar gjithsej tri armë zjarri pistoleta me 13 fishekë, tetë qese të vogla me substancë narkotike, dyshohet të jetë marihuanë me peshë 8.87 gramë, një qese që dyshohet të jetë substancës narkotike –kokainë, një peshore elektrike, një foli alumini për mbështjellje të narkotikëve, një pako letra rizlla.

Ndaj të dyshuarve iniciohen rastet penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave psikotrope dhe analoge dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.  

Pas intervistimit në prezencë të avokatëve mbrojtës, pesë të dyshuarit me aktvendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë.

Lexo edhe

Video