Pas një periudhe zgjedhore që zgjati disa muaj, më 21 prill 1921 në orën 10:00 (ditë e enjte) u hapën punimet e Këshillit Kombëtar, Parlamentit të parë në Shqipëri me deputetë të zgjedhur nga populli.
56 ishte numri i deputetëve që formonin shumicën e deputetëve të ardhur.
Dhimitër Kacimbra ishte kryetari i trashëguar i Këshillit Kombëtar nga Kongresi i Lushnjës i vitit 1920.
Pas hapjes së sesionit prej Dhimitër Kacimbrës, Pandeli Evangjeli merr fjalën i dyti si i zgjedhuri për të kryesuar Këshillit Kombëtar në këtë legjislaturë.
Parlamenti i vitit 1921 i cili u formua pas këtij procesi zgjedhor, të parit në vend, njihet për nivelin e lartë të përfaqësimit pasi të zgjedhurit ishin intelektualët më të zëshëm të kohës.
Veç njësive dokumentare origjinale që lidhen me këtë legjislaturë dhe ato në vijim, në Bibliotekën e Arkivit Qendror Shtetëror mund të gjenden fjalimet e deputetëve që folën në këtë seancë të parë historike që themeloi parlamentarizmin në Shqipëri.