Përurohet spitali pediatrik, “Sheikha Fatima” donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës sot është mbajë ceremonia e pranim-dorëzimit të spitalit pediatrik kirurgjik “Sheikha Fatima”, donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Ky spital ofron shërbimet më moderne për trajtimin e fëmijëve dhe vlera e tij kap shifrën 22 milionë euro. Me gjithsej 100 shtretër në dispozicion dhe teknologji më moderne spitali “Sheikha Fatima”  do ofroj shërbime të reja spitale në diagnostikimin e sëmundjeve dhe shërimin e sëmundjeve për fëmijët e Kosovës.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani me rastin e përurimit të këtij spitali tha se  sot është vulosur miqësia në mes Kosovës dhe  Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ajo tha se fëmijët e Kosovës nga sot do flenë më rehat pasi që trajtimet spitalore që iu nevojiten nuk do kenë nevojë më t’i marrin jashtë vendit, por që ata do mund të shërohen edhe në Kosovës.

Osmani tha se do punojnë fortë që ky spital të jetë sinonim i humanizmit, ashtu siç është simbol i humanizimit edhe Sheikha Fatima.

“Në atë vit ju vendosët që Republikës sonë të re t’i jepni krahë në këtë fushë të mjekësisë duke e rreshtuar Kosovën pranë vendeve të cilat do kenë mundësi të japin shërbimet më të mira dhe të ofrojnë trajtimin më të mirë në këtë fushë,  e duke ndikuar që shumë familje si dhe ata që janë në nevojë të vegjlit tanë të ndihen komod dhe të flenë rehat sepse më në fund ata do mund të shërohen e mjekohen në vendin  e tyre me kualitetin më të lartë. Ky spital është padyshim një nga ndërtesat më modern me shërbime më të sofistikuara për fëmijë, me  një kapacitet prej 100 shtretërve Kosova do jetë më në fund të gjendje të ofroj mjekim  intensive, shërbime laboratorike e diagnostike, salla operative e shumë shërbime të tjera moderne me teknologjinë e fundit. Kështu më në fund adresa për shërim të fëmijëve tanë nuk do jenë vendet e rajonit apo edhe vendet më të largëta, por adresa për shërimin e fëmijëve do jetë shtëpia jonë. Por ky nuk është vetëm një objekt dhe nuk e shohim vetëm si një spital tjetër, përkundrazi ky është fryti i një punë disa vjeçare i një dedikimi  të një përkushtimi human që përherë do mbetet  simboli më i veçantë i miqësisë sonë e cila uroj të lulëzoj e të fuqizohet gjithnjë e më shumë“, theksoi ajo.

Presidentja e Kosovës tha se ky spital donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe është vetëm fillimi i bashkëpunimit në mes këtyre dy vendeve, pasi siç u shpreh ajo gjithmonë do të ketë hapësirë shtesë për bashkëpunim.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti u shpreh se përmes këtij spitali të fëmijëve që sot inaugurohet po mundësohet diagnostikimi i hershëm i sëmundjeve tek fëmijët por edhe shërimi i tyre.

Ai tha se spitali “Sheikha Fatima” është dëshmi konkrete e miqësisë në mes të Kosovës me Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Në këtë spital fëmijët do kenë qasje në shërbime shëndetësore të specializuara nga stafi i përkushtuar profesional që do ndihmojnë në diagnostikimin sa më të hershëm të sëmundjeve dhe në shërimin e tyre. Fëmijët janë qytetarët e ardhshëm të demokracisë sonë prandaj është thelbësore që ne të kujdesemi për ta. Gati të gjitha prioritet tona më të rëndësishme ndërlidhen drejtpërdrejtë me shëndetin, mirëqenien, edukimin dhe të drejtat e fëmijëve. Edhe kur kemi shkruar zotimet edhe sot kur jemi në krye  të shtetit në mendje dhe zemër I kemi para se gjithash fëmijët e vendit  tonë veçanërisht ata të cilët e kanë të domosdoshëm kujdesin e shtetit. Me programin e Qeverisë ne jemi zotuar se do angazhohemi për përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë  dhe sigurisë së shërbimeve shëndetësore do kujdesemi…..Ky spital do kontribuoj në mirëqenien e fëmijëve të Kosovës duke u mundësuar fillim të shëndetshëm të jetë“, u shpreh Kurti.


Ndërsa, kryetari i Departamentit të Shëndetësisë në Emiratet e Bashkuara Arabe, Sheik Abdullah bin Mohammed bin Butti Al Hamed tha se duke ndjekur gjurmët e prijësve të tyre Emiratet e Bashkuara Arabe kanë arritur të marrin pozitën udhëheqëse për humanizëm në botë.

Sipas tij ky spital është iniciativë e Sheikha Fatima e cila synon të ofroj shërbime mjekësore më të mira për nënat dhe për fëmijët.

“Sot ne qëndrojmë në këtë vend për të paraqitur  marrëdhëniet e thella në mes të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Kosovës, rrëfimi për  spital  këtë ka filluar para 5 viteve përmes granti nga Sheika El-Fatima…Kjo iniciativë nga mirësia e saj është shtrirë në shumë fusha dhe sektorë me fokus në fëmijët dhe nënat për të siguruar që gjeneratat e ardhshme të ketë një jetë më të mirë dhe qasje më të mirë në shërbimet shëndetësore. Spitali ‘Sheik Fatima’ do ofroj mbështetje dhe shërbime më të mira për fëmijët dhe në saje të shërbimeve dhe pajisjeve duke kryer trajtime më të mirë me pajisje më të mira teknologjik dhe do kontribuoj në krijimin e sistemit shëndetësor të Kosovës për nënat dhe fëmijët e tyre. Ky spital do pres vizionin dhe do vazhdoj të veproj të ofroj mbështetjen për të gjithë ata që kanë nevojë“, u shpreh ai.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se sot fal bashkëpunimit me Emiratet e Bashkuara të Arabisë po arrijnë që ta inaugurojnë spitalin më modern të shërbimeve të pediatrisë.

Ai tha se tashmë do ulen shanset për trajtim të fëmijëve jashtë vendit, pasi ky spital është i pajisur teknologjinë e fundit të mjekësisë.

Edhe nga kjo ceremoni Vitia ka bërë thirrje për vaksinim kundër COVID-19 ,sidomos për gratë shtatzëna dhe fëmijët nga 12 deri në 15 vjeç me probleme shëndetësore.

“Ky spital që është një donacion në vlerë prej 22 milionë eurove i Emirateve të Bashkuara Arabe për shëndetësinë tonë shënon një kthesë të rëndësishme sa i përket cilësisë së shërbimeve shëndetësore terciare që do u ofrohen fëmijëve tanë në Kosovë…Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët tanë detyrohen që për sëmundje të ndryshme të cilat nuk mund të trajtoheshin këtu detyrohen që fëmijët e tyre t’i dërgojnë në mjekim jashtë vendit, është një vragë që po na përcjell akoma hapja e këtij spitali shihet si një kthesë e rëndësishme në fuqizimin e shërbimeve ekzistuese dhe hapjen e shërbimeve të reja  shëndetësore të specializuara dhe të integruar për fëmijët në Kosovë“, theksoi Vitia.

Në këtë ceremoni të pranim-dorëzimit të spitalit të fëmijëve “Sheikha Fatima”, u nënshkrua edhe një marrëveshje në mes të presidentes s]ë Kosovës, Vjosa Osmani dhe  kryetari i Departamentit të Shëndetësisë në Emiratet e Bashkuara Arabe, Sheik Abdullah bin Mohammed bin Butti Al Hamed.

Pjesë e ceremonisë së inaugurimit të spitalit pediatrik donacion  nga Emirtatet e Bashkuara Arabe ishte edhe ministrja e Shtetit, Maitha Bint Salem Al Shamsi, ish presidentët e Kosovës, Atifete Jahjga, Behxhet Pacolli, ish ministra të Shëndetësisë dhe drejtor e mjekë të Klinikave të QKUK-së.

Punimet për ndërtimin e spitalit pediatrik “Sheikha Fatima”, kanë nisur në mars të vitit 2016, ku marrëveshja për ndërtimin e tij është nënshkruar në prill të viti 2015, gjatë një vizite të ish presidentes  ë Kosovës, Atifiete Jahjaga në Abu Dhabi.

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.