Përurohet shkolla “Drenica” në Polac

Përurohet shkolla “Drenica” në Polac

Në ditën e parë të vitit të ri shkollor nxënësit e fshatit Polac të Komunës së  Skenderajt janë bërë me objekt të ri shkollor.

Shkolla e fillore e mesme e ulët “Drenica”, e cila u përurua këtë të hënë, po mirëpret në bankat e saj 455 nxënës të kësaj komune, e të cilët tashmë do të kenë ambient të përshtatshëm mësimor.

Me rastin e përurimit të kësaj shkolle, kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari tha se kanë përmbushur një nevojë dhe kërkesë shumë të arsyeshme të banorëve dhe të mësimdhënësve të fshatit Polac, pasi tashmë kanë një objekt modern me të gjitha kushtet për realizimin e procesit mësimor.

Ai tha se do të realizojnë edhe projekte të tjera të shumta në dobi të arsimit, në mesin e të cilave përmendi edhe instalimin e programeve për qasje ‘online’ të prindërve në notimin dhe mirësjelljen e fëmijëve të tyre.

Duke folur për të gjitha kushtet që mësimdhënësit e Skenderajt gëzojnë, Jashari bëri thirrje për mësimdhënësit që të vazhdojnë angazhimin e tyre maksimal në edukimin e brezave të ri. 

“Nxënësit e kësaj shkolle fillore sot po fillojmë vitin e ri shkollor ndryshe nga vitet e kaluara, përshkak të rrethanave pandemike tash e sa kohë. Përtej kësaj, ju nxënës e mësimdhënës, sot po filloni vitin shkollor në një mënyrë tjetër, në një objekt modern, me sallën e sportit brenda dhe të gjitha kushtet e nevojshme për zhvillimin e procesit mësimor. Jam i lumtur që sot me përurimin e kësaj shkolle po realizojmë një nevojë dhe një kërkesë shumë të arsyeshme të banorëve të Polacit dhe kolektivit të kësaj shkolle, të cilët tani në kushte aspak të përshtatshme realizuan me sukses procesin mësimor dhe për më  tepër nxorën gjenerata të cikat sot kontribuojnë në shtetndërtimin e tyre[…]Sot, nga ky tempull i diturisë, nga vendi i ‘Hasan Prishtinës’ bëjë thirrje për mësimdhënësit që të vazhdojnë angazhimin e tyre maksimal në edukimin e brezave të ri sepse ky është sot ideali ynë, amaneti i dëshmorëve dhe heronjve të vendit tonë, që të ndërtojmë një shtet të fortë ekonomikisht mbi bazën e arsimit”, tha ai.


Drejtori i shkollës “Drenica”, Gëzim Gashi tha se falë kontributit të atyre që dhanë sakrificën më sublime për lirinë e vendit sot gëzojnë një shkollë moderne.

“Ndihem jashtëzakonisht i nderuar dhe i privilegjuar që sot jam këtu para jush, në përurimin e shkollës tonë. Mirëpo, as shkolla, as unë, as ju nuk do të ishim këtu pa kontributin e të gjithë atyre që dhanë më të shtrenjtën për lirinë e Kosovës. Kur flasim lër lirinë, çdonjërit nga ne i shkon në mendje familja legjendare, familja Jashari. Kështu që në emrin tim, mësimdhënësve, prindërve dhe nxënësve një falënderim për bacin Rifat, nipat dhe mbesat e tij, dhe për të gjithë ata që kanë dhënë më të shtrenjtën e tyre. Si çdo familje jona, dikush ka dhënë më shumë e dikush më pak, edhe shkolla jonë ka 11 martirë. Lavdi jetës dhe kontributit të tyre për lirinë e Kosovës”, tha ai.

Në emër të banorëve të Polacit, kryetari i fshatit, Isuf Hoti shprehu mirënjohje për realizimin e kësaj kërkese të tyre për ndërtimin e një shkolle që i plotëson të gjitha nevojat për realizimin e procesit mësimor.

Ai shprehu mirënjohje për ish-presidentin Hashim Thaçi, dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, për të cilat tha se kanë nënshkruar vendimin për ndërtimin e shkollës “Drenica”, të cilën po e gëzojnë sot.

“Bashkë me kërkesat e bashkësisë lokale me 11 anëtarë të këshillit të fshatit, sekretarin e shkollës, e falënderoj veçantë z. Bekim Jashari, i cili e përfundoi këtë shkollë më modernen në Drenicë”, tha ai.

Shkolla fillore e mesme e ulët “Drenica”, e cila të hënën ka hapur dyert për nxënësit e saj, ka nisur së ndërtuari në vitin 2018, ndërsa ndërtimi i saj është mbështetur financiarisht nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Lexo edhe

Video