Është përuruar rruga “17 Shkurti” në Godanc të Shtimes, me gjatësi rreth 2.8 kilometra, investim ky në vlerë prej 570 mijë euro. Përurimi i kësaj rruge, e cila ka qenë në kuadër të memorandumit mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës së Shtimes, konsiderohet si shumë i rëndësishëm, pasi lidhë disa fshatra dhe redukton trafikun.
Në përurimin e kësaj rruge mori pjesë edhe ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu me c’rast tha se ky investim ka rëndësi për shkak se lidhë fshatrat e pjesës lindore të Malësisë, duke u krijuar mundësi të lidhen drejtpërdrejt në magjistrale pa pasur nevojë ta ngarkojnë qendrën e qytetit.
Ndërkaq, kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu tha se përurimi i këtij aksi rrugor është i rëndësishëm dhe vital për Shtimen pasi lidhë disa fshatra të anës së majtë dhe u jep mundësi atyre të dalin në fshatin Gjyrkoc, e prej aty të mund të shkojnë në Lipjan, Prishtinë, Ferizaj dhe në Aeroportin e Prishtinës.
“Sot është një ditë e lumtur për Komunën e Shtimes, përkatësisht për vendbanimin këtu që quhet ‘Godanc’. Rruga ‘17 shkurti’ diku 2.8 kilometra, që është e financuar përmes memorandumit nga Ministria e Ambientit dhe infrastrukturës dhe së bashku me Komunën e Shtimes. Është një projekt që është implementuar në afat kohor dhe cilësisht. Është një aks shumë i rëndësishëm për Komunën e Shtimes sepse i lidhë të gjitha fshatrat e anës së majtë, prej Pjetërshticës, Caralevës, Borcit, Godanc i Epërm dhe Poshtëm, të cilët dalin në fshatin Gjyrkoc dhe përmes fshatit Gjyrkoc këto fshatra pa pasur nevojë të krijojnë trafik në qytetin e Shtimes mund të shkojnë në Lipjan, në Prishtinë, në Ferizaj por edhe në Aeroportin e Prishtinës”, potencoi Aliu.