Përurohet çerdhja në Gadime të Lipjanit, Ahmeti: Hap i jashtëzakonshëm

Në oborrin e shkollës “Zenel Hajdini” në Gadime, janë hapur dyert edhe të çerdhes së re. Nga sot, fatosat e vegjël do të kenë mundësinë të përfshihen në edukimin e hershëm. Kjo është çerdhja e dytë që gjatë ditës është përuruar nga Komuna e Lipjanit.

Kryetari i kësaj komune, Imri Ahmeti tha hapja e kësaj çerdhe shënon një hap të jashtëzakonshëm për Gadimen.

“Vërtetë është kënaqësi e veçantë që të ofrojmë kushte dhe ambiente të mira për fëmijët tanë. Prandaj, në këtë rast dy Gadimet dhe ky regjion do të kenë mundësi që fëmijët e tyre t’i sjellin në çerdhe dhe t’i edukojnë. Dhe unë po besoj që ndikon shumë në rritjen e mirëqenies së qytetarëve të këtij regjioni. Po besoj që në vazhdim të angazhimeve tona do të kompletojmë edhe më tej infrastrukturën e nevojshme për banorët e këtij regjioni. Por, sot është ditë e veçantë për Lipjanin, ditë e veçantë për Gadimen sepse vërtet fillimi i punës së dy çerdheve, edhe kësaj në Gadime, për ne shënon një hap të jashtëzakonshëm. Një hap që njëherë bëhet, jo përditë”, ka thënë Ahmeti.

Zëvendësdrejtoresha e Zyrës së UNICEF, Larissa Bruun tha se është me rëndësi që të vendoset baza në edukimin e hershëm të fëmijëve.


“Lipjani është një nga komunat në të cilën UNICEF ka bashkëpunim shumë të mirë…dhe duket që kryetari dhe komuna që qëndron pas tij, po vendos një theks të veçantë në edukimin e hershëm dhe të ju ofrohet kjo mundësi sa më herët. Prandaj e kemi hapjen e çerdheve të reja në komunën e Lipjanit…ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë në fushën e edukimit të hershëm dhe jo vetëm, edhe në fusha të tjera në Lipjan”, ka shtuar ajo.

E, drejtori i shkollës, Skender Ademi tha se çerdhja ka qenë ëndërr për Gadimen.

“Çerdhja ka qenë ëndërr për Gadimen që nuk e kemi menduar asnjëherë. Mirëpo, mësimi i hershëm dhe edukimi i hershëm është një avancim për mësim dhe për mësimnxënie të mëvonshme”, ka thënë Ademi.

Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti gjatë ditës ka marrë pjesë edhe në vendosjen e gurthemelit të çerdhes në Shalë të Lipjanit.

Lexo edhe

Video