Përurohen shtigjet e reja të ecjes në Lipjan, Ahmeti paralajmëron investime të reja

Qytetarët e Lipjanit tani e tutje do të kenë hapësira të mjaftueshme për ecje dhe rekreacion. Kjo pasi sonte u përuruan shtigjet e reja të ecjeve pranë shtratit të lumit Sitnica në këtë qytet.

Në këtë përurim mori pjesë edhe kryetari Imri Ahmeti, i cili paralajmëroi edhe investime të reja, me qëllim që qytetarët e këtushëm të kenë hapësira të bollshme për ecje e rekreacion.

Ai tha se nga një sipërfaqe me mbeturina, arritën që të shndërrojnë këtë pjesë në vend atraktiv dhe shumë të dashur për qytetarë.


‘Sonte është bërë përurimi i shtigjeve të reja të ecjeve, vazhdim i shtigjeve të mëparshme. Janë diku rreth dy kilometra dhe është e veçantë se nga një pjesë e sipërfaqes që ishte shndërruar në deponi të mbetjeve tashëm e kemi shndërruar në një vend atraktiv për rekreacion dhe ecje për qytetarëve të Lipjanit. Po shihet se ka interesim të jashtëzakonshëm të Lipjanasve. Normalisht që investimi ka qenë eksplicit me mjete vetanake të Komunës. Besoj që investimet do t’i vazhdojmë në këtë pjesë me qëllim që të jetë akoma më atraktive për qytetarët, të krijojmë një mundësi hapësirë ku qytetarët tanë mund ta kalojnë kohën e lirë. Urime të gjithë qytetarëve të Lipjanit”, tha ai.

Ahmeti së bashku me stafin e tij dhe qytetarë bën një ecje në këto shtigje, teksa interesimi i qytetarëve për të parë nga afër këtë vend atraktiv ishte shumë i madh.

Madje kryetari Ahmeti u përshëndet nga shumë qytetarë që kishin dalë për të shëtitur në këtë mbrëmje të nxehtë.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.