“Përtej dhimbjes, drejt guximit”- QKRMT publikon librin me rrëfime të burrave të mbijetuar

Tash e më shumë se dy dekada, mbi supet e tyre po mbajnë sfidën më të madhe në jetë. Traumat e mijëra grave dhe burrave të dhunuar nuk po mbesin vetëm në lëkurat e tyre. Shumë familjarë dhe të afërm të tyre po bartin me vete tmerrin që u përjetua gjatë viteve ‘98 dhe ‘99. Po të njëjtat përjetime i kanë rrëfyer edhe në librin “Përtej dhimbjes, drejt guximit”, ku janë intervistuar dhjetë familjarë të të mbijetuarave të dhunës seksuale në luftë dhe dy burra të mbijetuar të dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosovë.

Në Ditën ndërkombëtare të Eliminimit të Dhunës Seksuale, QKRMT bashkë me forumin ZFD kanë promovuar këtë libër, i cili është i përpiluar në formë rrëfimtarie të historive gojore. Me këtë po synohet të kontribuojë në diversifikimin e rrëfimit për luftën në Kosovë.

Dy vjet më parë, ajo publikisht ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës për të kërkuar drejtësi për atë që ka përjetuar. Mes lotëve, Shyrete Sylejmani Tahiri po kërkon përkrahje dhe mbështetje për të gjitha gratë dhe burrat që po jetojnë me traumat e luftës.

“Ne të gjithë e dimë se sa ende ka shumë punë për tu bërë. E sidomos jemi shumë larg vendosjes së drejtësisë për krimet e kryera gjatë luftës. Mbledhja e rrëfimeve, siç është bërë në librin që po promovohet sot,  kontribuon shumë në dokumentimin e krimeve e shpresoj edhe në triumfin e drejtësisë. E rëndësishme është që familjarët e të mbijetuarve të flasin hapur, siç kanë bërë në këtë libër, sepse mbështetja është tepër domethënëse për të mbijetuarit. Neve mund të na duket se libri është përmbledhje e rrëfimeve të disa njerëzve që kanë qenë, por jo me ardhur deri te ky guxim, vërtetë është bërë punë me shumë mund. Andaj ju lumtë atyre që kanë pranuar të rrëfejnë historinë e tyre”, ka thënë ajo mes-lotëve.

Një tjetër i mbijetuar, por jo nga Kosova, thotë se drejtësia arrihet vetëm atëherë kur shoqëria mbështet këtë kategori shoqërore. Kolbassia Haoussou, i cili është kampion në parandalimin e dhunës seksuale në konflikt rrëfen për traumat e luftës dhe se si përjetoi dhunë të dyfishtë edhe nga të afërmit e tij.

“Unë si i mbijetuar kam vuajtur shumë dhe kam kaluar shumë kohë që të ngritem përsëri në këmbë të shkoj në terapi dhe pastaj të gjej mënyrën që më vonë të largoj këtë barrë psikike që mu ngarkua mua për kohë të gjatë. Shumë këto pengesa mentale që i kam pasur kanë qenë të bazuara në ndjenja dhe çfarë ka ndodhur me mua dhe kushërinjtë e mi më kanë fajësuar për atë se çfarë më ka ndodhur. Më kanë goditur më kanë rrahur, më kanë sharë se unë isha fajtor. Unë isha i ri dhe mendova që me të vërtetë unë jam fajtor për atë çfarë ka ndodhur. Dhe këtë e futa thellë në mendje”, rrëfen ai.


Për vjet me radhë ai kishte jetuar në izolim mendor dhe e kishte sfiduar vetën me truamë. Tregon se vështirë e ka pasur edhe tregojë për atë që i ka ndodhur. Ai bën thirrje që të mbijetuarit të rrëfejnë atë që kanë përjetuar, meqë sipas tij në këtë formë do të triumfojë drejtësia.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci ka theksuar se të mbijetuarit e dhunës seksuale duhet të jenë të sigurt, e po ashtu të krijohen mekanizma që gratë të mos stigmatizohen.

“Jemi të vetëdijshëm për obligimet që i kemi edhe si institucione që të krijojmë hapësira të sigurta dhe që këto të mbijetuara ta kenë një mundësi më të madhe për të adresuar vuajtjet e tyre. Të flitet haptas dhe të sigurohemi që në këto procese jemi për të shërbyer sa i përket çështjes së drejtësisë. Duhet të ndërtojmë mekanizmat ku përkrahen gratë, familjet e tyre për një rrugëtim që mund të marrim për drejtësinë”, ka thënë Bogujevci.

Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti u shpreh se libri është dimension tjetër dhe prek traumën sekondare. Ajo ka shtuar se me këto rrëfime, kanë dashur t’ia rikujtojnë Kosovës se lufta nuk kurseu as burrat.

“Libri si i tillë është një dimension tjetër, është dimension tjetër sepse e prek traumën si aspekt social, jo vetëm viktimën në nivel vertikal por edhe traumën sekondare, interaksionin në familje dhe traumën ndër-brezore. Ata që kanë qenë prezent kur ka ndodhur ky krim dhe mënyrën se si janë ndjerë. Shumë herë edhe në trafikat tona, nënat thonë që fëmijët çuditen me neve. Jemi munduar me prek edhe atë dimension që të kuptohet se sa e thellë është plaga shpirtërore dhe se si duhet të jetë qasja jonë në raport me këtë plagë shpirtërore”, u shpreh ajo.

22 vjet pas luftës, nuk ka ndryshuar shumë në trajtimin e grave dhe burrave të dhunuar padrejtësisht gjatë luftës. Madje, të njëjtit stigmatizohen për pikërisht atë që kanë përjetuar. Ndërkohë, që as edhe një nga agresorët nuk kanë marrë dënimin e merituar.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: