Personat me aftësi të kufizuara të pakënaqur me kushtet, Kurti: Ne jemi me juve
Lajme
Lexohet për: 4 min.
handikos-021224
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Janë mbledhur për të festuar Ditën ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara. Mirëpo, drejtues të shoqatës Handikos u shprehen se nuk janë të kënaqur me kushtet që institucionet përkatëse po u ofrojnë kësaj kategorie.

Drejtori i Handikos, Afrim Maliqi me këtë rast tregoi se është një shifër e vogël e fëmijëve me aftësi të kufizuara janë të përfshirë në arsim, pasi që sipas tij, shkollat nuk ofrojnë kushtet e duhura për këtë kategori.

“Përkundër përpjekjeve të shumta që ka pasur Qeveria dhe vazhdon të këtë, situata ende mbetet jo e mirë, në disa fusha, si në fushën e rehabilitimit, fushën e qasjes, domosdoshmërisht më duhet ta ceki edhe çështjen që është me shumë rëndësi, që është arsimimi. Vlerësohet se vetëm 12 deri në 13 për qind të fëmijëve me aftësi të kufizuara janë të përfshirë në arsim.

Maliqi përmendi çështje të ndryshme duke kërkuar nga kryeministri që të mbajnë marrëdhënie të ngushta me qendrën e tyre. Një ndër to ishte edhe mundësia e renovimit apo ndërtimit të një qendre të re, pasi që ajo që janë tani është e ndërtuar në vitin 2003.

E kryeministri i vendit Albin Kurti, ku ju drejtua fëmijëve e të rriturve që ishin prezent, tha se nuk janë vetëm kjo kategori, e sipas tij, shteti i Kosovës është me ta.

“Këtë vit Qeveria e Republikës së Kosovës kanë rritur pensionet edhe për kategorinë e personave me aftësi të kufizuara për 20 për qind e gjatë vitit 2023 numri i përfituesve të skemës e kompensimit ka qenë 3 mijë e 6 persona, si dhe vlera e buxhetit të shpenzuar diku afër 11.5 milionë euro. Por siç e tha edhe kryetari Afrimi pas publikimit të plotë të rezultateve të regjistrimit të popullsisë ne do mund ta kemi edhe pasqyrën e saktë po edhe planifikimin më të mirë për të ardhmen. Për herë të parë po e iniciojmë ligjin për personat e shurdhër, është duku u zhvilluar koncept-dokumenti për ofrimin e shërbimeve në gjuhën e shenjave për qytetarë të shurdhër në Kosovë, pastaj zyra për qeverisje të mirë në kuadër të kryeministrisë është duke i publikuar ligjet dhe dokumentet relevante në shkrimin braj për personat e verbër në Kosovë. Deri më tani në vendin tonë janë punësuar 339 asistentë për fëmijë me aftësi të kufizuara, ndërkaq ne i bëjmë thirrje edhe një herë komunave të Kosovës që të aplikojnë sepse kemi buxhetuar deri në 500, pra ka më shumë mundësi sesa realizim. Me këtë rast dëshirojmë të tregojmë zotimin tonë, fëmijët me aftësi të kufizuara nuk janë vetëm barrë e familjes por edhe e shtetit tonë, i cili ndihmon përmes këtyre asistentëve”,u deklarua ai.

Kryeministri Kurti premtoi se do ta rrisin ndjeshmërinë, ndihmën, mbështetjen dhe përkrahjen e familjeve me persona me aftësi të kufizuara.

Pjesë e publikut ishte edhe Eldin Gashi, 19-vjeçar që studimet po i ndjek në një universitet privat, pasi që Universiteti i Prishtinës, nuk përmbush kushtet që Gashit i nevojiten. Ai tregon se është diskriminuar qysh nga shkollimi e deri tek institucionet shtetërore të mjekësisë.

Përvojat jetësore dhe problemet i ndau edhe një nënë, Fidajete Pllana që përkujdeset për fëmijën e saj me aftësi të kufizuara.

Prindërit e fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuara që ishin të pranishëm kërkuan nga kryeministri Kurti që të përmirësohen kushtet ndaj tyre.

Takimin me Kurtin e shfrytëzoi edhe një nënë që kërkoi nga kryeministri, punësimin e djalit të saj.

Kurti nuk u largua edhe pa një dhuratë nga Handikos. Një libër me sfida personale të një personi me aftësi të kufizuara, iu dhurua atij.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025