Përplasen PDK-VV për ujësjellësin, Lushtaku: Është turp për Lëvizjen t’ia ndalë ujin Drenicës

Përplasen PDK-VV për ujësjellësin, Lushtaku: Është turp për Lëvizjen t’ia ndalë ujin Drenicës

Mosmiratimi i amendamentit për ndarjen e mjeteve për ujësjellësit Shipol-Brus-Mitrovicë, i propozuar nga deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku ka bërë që ky i fundit të shprehet ashpër me partinë në pushtet, LVV.

Gjatë shqyrtimit të projektbuxhetit në lexim të dytë për vitin 2022, deputeti Lushtaku duke akuzuar VV-në, tha se është turp t’iu ndalohet uji qytetarëve të Drenicës për inate politike.

Madje, ai tha se vetëm pushteti i serb në krye me Slobodan Milosheviçin ka pasur këso lloj qasje ndaj Drenicës. Për çka pati ndërhyrje nga kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili kërkoi nga deputeti Lushtaku të ketë kujdes me gjuhën joparalamentare.

Lushtaku: Është për turp, dhe ju po tregoni vetëm fytyrën e vërtet që keni, që jeni kundër Drenicës. Vetëm t’ua rikujtoj që në kohën më të vështirë, edhe aparati serb me në krye Milosheviqin…

Konjufca: Kujdes me fjalorin, është gjuhë joparalamentare.


Lushtaku: …Milosheviqi ka dashur të na ndalojë ajrin, edhe jetën më na e marrë, e s’kanë mundur. Pra, ujin kurrë s’do mund me na e ndal, por ju veç e keni treguar fytyrën e vërtetë. Kjo është për turp, është turp çka keni bërë sot me këtë votim. Juve kurrë nuk iu kisha lënë as në Kuvend me hy. Është marre çka keni bërë. Ja keni ndal ujin Drenicës vetëm për inate politike, marre duhet t’ju vijë. Marre, qeshni, zgërdhijuni, boni çka të doni, bonja qysh doni, por ia keni ndalë ujin qytetit të Skenderajt. Edhe po ua ndalni ujin qytetarëve të Skenderajt, edhe po buzëqeshni.

Edhe deputeti Haxhi Avdyli ka reaguar ndaj deklaratës së kolegut të tij, Lushtaku.

“Ne jemi vend i vogël që të përçahemi me krahina, secilit ndoshta nuk i kanë kaluar projektet, është një regjion i tërë si Hasi që ka mungesë të ujit, që ka probleme me rrymë dhe ka kontribuar në luftë. Me të vërtet gjuha që u përdorë sot këtu dhe u përmend Milosheviqi, sikur ne jemi kundër luftës, kundër viktimave të Kosovës. Kjo është turp për ata që thonë turp për neve. Sepse nuk është vetëm Drenica që ka pasur viktima, ka pasur edhe në Krushë të Madhe. Në Krushë të Vogël krejt burrat janë vrarë. Është po ashtu në Lybeniq të Pejës, është rasti në Meje, po ashtu në Sllovi të Lipjanit. Pra, çdo kund ka pasur viktima. Nuk duhet që në emër të viktimave të del të na moralizon dikush këtu. Duhet ta ngrisim zërin për projektet e vendeve tona, por jo duke përdorë këso lloj gjuhe. Është e papranueshme që sot një koleg yni të na akuzojë kaq poshtë neve ”, theksoi ai.

Ndaj kësaj deklarate reagoi deputeti i VV-së, Arbër Rexhaj, i cili u shpreh i indinjuar me gjuhën e deputetit Lushtaku.

Kuvendi po vazhdon shqyrtimin e amendamenteve të propozuara nga deputetët.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.