Lajme   Biznes   Sport   Covid-19   Video   Kulturë   Magazina   Ngjarje

Përmbyllet “Rolling Film Festival”, ndahet çmimi “Young Talent Award” për dy të rinj

Përmbyllet “Rolling Film Festival”, ndahet çmimi “Young Talent Award” për dy të rinj

Sonte në Prishtinë përfundoi “Rolling Film Festival”, i cili është i vetmi në nivel evropian që promovon artin dhe kulturën rome nëpërmjet filmave dhe veprave tjera artistike të prodhuar nga komuniteti rom që trajtojnë tema rreth këtij komuniteti.

Në ceremoninë përmbyllëse u nda çmimi “Young Talent Award” për dy të rinj, të cilët do të fitojnë punë praktike në një kompani për animim.

Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti tha se romët në Kosovë janë pjesë përbërëse e shoqërisë me të drejta të barabarta e të garantuara, por edhe me probleme të shumta, sikurse edhe një pjesë e mirë e komuniteteve tjera.

Ai shtoi se arsimi, punësimi, pjesëmarrja dhe integrimi janë problemet që e shoqërojnë komunitetin rom e të cilat duhet të zgjidhen së bashku.

“Ky festival i Filmit duhet t’i shërbejë shoqërisë për të kuptuar më mirë dhe më drejt nevojat e komunitetit rom, por edhe ta rrisë ndërgjegjen për të krijuar një shoqëri që nuk përjashton. Si shumicë, ne duhet ta afrojmë pakicën dhe pakicat që të bëhen pjesëmarrëse brenda nesh dhe me ne, prandaj dhe qasja jonë është që pakicat të jenë pjesë përbërëse dhe jo e veçantë”, tha Kurti.

Drejtori i këtij festivali Avni Krasniqi për KosovaPress tha se qëllimi i  këtij festivali ka qenë që të promovohet kultura rome dhe përmes filmave që janë shfaqur në këtë festival të tregohet se me çfarë ballafaqohen qytetarët e komuniteteve rom, egjiptian dhe ashkali në Kosovë.

“Është një festival që promovon kulturën rome në Kosovë, dhe të njëjtën kohë është duke luftuar kundër stereotipave, diskriminimit që është duke u ballafaquar komuniteti rom këtu në Kosovë, në këtë edicion ne kemi shfaqur 30 filma prej krejt Evropës, në të njëjtën kohë kemi pasur mundësi të shfaqim edhe disa filma që kanë qenë prej Kosovës”, tha ai.

Drejtori i “Rolling Festival” përmendi edhe problemin e papunësisë me të cilën përballet komuniteti rom.


“Grupi më i madh i abuzuar edhe i diskriminuar është komuniteti rom për fat të keq, por në të njëjtën kohë edhe komuniteti që përfaqëson një përqindje të madhe të papunësisë është komuniteti rom… Mentaliteti në Kosovë ka nevojë të ndryshojë… Diferenca nuk ka nevojë të luajë rol të veçantë, ne kemi nevojë për të jetuar bashkë, jemi më shumë se 6 komunitete duke jetuar në Kosovë dhe besoj që diversiteti nuk duhet të shihet si barrierë… Në Kosovë jemi rreth 38 mijë njerëz romë, ashkali, egjiptian, 91% në këtë komunitet nuk janë të punësuar”, tha ai.

Edicioni i 6-të i “Rolling Film” si tematikë kishte “Gojëdhënat – Realiteti i ri” nëpërmjet filmave dhe aktiviteteve, ku u trajtuan tema rreth jetës së komunitetit rom duke adresuar gojëdhënat të cilat kanë ndërtuar një realitet të hidhur për komunitetin duke shtresuar paragjykimet, stereotipet ndaj këtij komuniteti.

Por në anën tjetër po ashtu, u prezantua edhe realitetin në të cilin jeton komuniteti, i cili për shumë njerëz mund të tingëllojë si përrallë.

Përtej kësaj, përgjatë ceremonisë u nda edhe çmimi “Young Talent Award” për dy  të rinj, të cilët do të përfitojnë punë praktike në kompaninë për animim – Flamorum.

Fituesja e parë e këtij çmimi ishte Blerina Bytyqi, dhe fituesi i dytë Ardian Krasniqi.

Në kuadër të ceremonisë u shfaq edhe filmi animuar “Tregimi i diellit dhe hënës”, në regji të Szoboszlay Eszter, dhe filmi “Gypsy Quenn” në regji të Huseyin Tabak.

Të gjithë filmat e festivalit do të vazhdojnë të shfaqen deri më datë 27 prill nëp uebfaqen online.rollingfilm.org, ndërsa mund të shihen nga këto shtete: Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe Serbi.

Ndryshe, “Rolling Film Festival” është projekt i OJQ Roma Versitas Kosovo dhe Romawood.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: