Përmbyllet Chopin Piano Fest, Kurti premton mbështetje për muzicientë të rinj

Është përmbyllur edicioni i 11-të i Chopin Piano Fest “Prishtina”, i cili nisi një muaj më parë, me ç’rast mblodhi pianistë të dalluar vendas dhe ndërkombëtarë që interpretuan jo vetëm vepra të Chopin, por edhe kompozitorë të tjerë të njohur klasikë dhe bashkëkohorë që kanë kompozuar për piano solo dhe ansamble muzikore.

Në ceremoninë përmbyllëse që u mbajt në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare, ishte i pranishëm edhe kryeministri Albin Kurti i cili përgëzoi organizatorët për një ngjarje kaq të rëndësishme kulturore.

Po ashtu kryeministri Kurti tha se është detyrë e tyre si Qeveri që me përkushtim të madh të punojnë në përmirësimin e kushteve dhe promovimin e talenteve të rinj.

“Megjithëse jemi një vend i vogël dhe jo shumë i zhvilluar, kemi jo pak artistë dhe muzikantë tepër të talentuar që janë duke krijuar diplomacinë kulturore nëpër vende të ndryshme të rajonit dhe botës. Aty ku po mungon fjala e shkrimi, aty është sharmi i muzikës me kompozim e tingull që depërton thellë në të padukshmen e të pa emërueshmen. Andaj, ju jemi falënderues për këtë dhe detyra jonë si Qeveri që me përkushtimin më të madh të punojmë në përmirësimin e kushteve dhe promovimin e sa më shumë talenteve që kanë aq shumë për të na dhënë. Shpresoj që pas kësaj mbrëmje ne kthehemi të fisnikëruar në shpirt dhe me një besim më të fortë në të nesërmen”, tha ai.

Ndërsa ambasadori zviceran në Kosovë, Thomas Kolly tha se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës janë të ngushta në të gjitha fushat, përfshirë edhe atë të kulturës.


Ai tha se muzika që është pjesë e kulturës, është motivim edhe për politikën dhe u ndihmon shumë në misione diploamtike.

“Dihet që marrëdhëniet mes Kosovës dhe Zvicrës janë shumë e ngushta, jo vetëm në ekonomi, politikë dhe futboll siç e pamë para dy ditësh, por edhe lidhja e ngushtë e bashkëpunimit që kemi në fushën e kulturës, dhe natyrisht, specifikisht festivali juaj, që është një nder gjithashtu të jem pjesë e kësaj lëvizje nëse mund ta quaj kështu. Unë mendoj, ne si njerëz, që punojmë në fusha ndërkombëtare, në politikë; ne marrim frymëzim nga ajo që ju bëni. E di, dua të them politika, dhe kryeministri e di më së miri, që kjo është pjesa më e vështirë, por është një bashkëpunim kulturor dhe është gjithashtu një frymëzim për ne që të punojmë në misione ndërkombëtare. Prandaj me këtë ju përgëzoj për arritjen me sukses tek të rinjtë dhe shijojeni mbrëmjen”, tha ai.

Përpos fjalëve përmbyllëse nga përfaqësuesit e institucioneve, nga pianistja e shquar nga SHBA, Zoya Shuhatovich u interpretuan edhe kryevepra pianistike nga Moxart, Cajkovski dhe Chopin.

Në fund u shpallen edhe fituesit e Çmimit Special ChopinPianoFEST Prishtina 2021.

Për një muaj në kuadër të ChopinPianoFEST Prishtina 2021 u mbajtën 15 koncerte me muzikantë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Franca, Austria, Gjermania, Polonia, Italia, Turqia dhe SHBA.

Programi artistik i festivalit është përgatitur nga drejtoresha artistike, Lejla Haxhiu-Pula.

Lexo edhe

Video

error: