Përkujtohet masakra e Pastaselit, Kurti: Krimi i Serbisë as nuk harrohet e as nuk falet
Lajme
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në zbulimin e pllakës përkujtimore të dëshmorëve dhe martirëve të rënë në masakrën në fshatin Pastasel të Komunës së Rahovecit, ka thënë se duke u përbashkuar në këtë vend, denoncojmë forcat serbe, pasi që 106 qytetarë të këtij fshati u vranë vetëm se ishin shqiptar.

Kurti para qindra të pranishmëve tha se kjo pllakë përkujtimore është një pikë kujtimi për brezat që do të vinë në mënyrë që kurrë mos të harrohet gjenocidin e Serbisë, krimet kundër njerëzimit e krimet e luftës.

“Ajo çka e bënë këtë masakër të Pastaselit ndër masakrat më të tmerrshme në Kosovë, është se së pari kemi torturim të shqiptarëve e pas torturimit i ndajnë në grupe, ku në grupin e parë i vrasin fëmijët, në mënyrë që edhe prindërit e tyre, edhe gjyshërit e tyre t’i shohin duke vdekur djemtë e nipat e tyre, e më pastaj i pushkatojnë edhe prindërit e gjyshërit. Kjo e bënë shumë të tmerrshme këtë masakër...ata kriminelet nuk janë më këtu, ju jeni dhe do të jeni gjithmonë këtu, e kriminelet duhet të jenë prapa grilave, qoftë në drejtësi ndërkombëtare, qoftë vendore. Krimi i Serbisë as nuk harrohet, as nuk falet”, theksoi Kurti.

Kurti në cermoninë e përkujtimit të masakrës në Pastasel, theksoi se duke kujtuar të rënët, denoncohen kryesit e këtij krimi.

Po ashtu Kurti, tha se thirrja dhe gatishmëria qeveritare për t’i ndjekur kriminelët serbë të luftës duhet të has në interesimin urgjent dhe të shtuar të Prokurorisë së Kosovës.

Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi tha se UÇK erdhi si një bekim dhe shpresë për popullin e Kosovës. Ai përmendi edhe bashkëluftëtarët e tij, siç tha ai që po mbahen padrejtësisht në Hagë dhe ftoi të gjithë qytetarët ta dalin në protestë më 2 prill.

Përfaqësuesi i fshatit, Afrim Krasniqi ka kërkuar drejtësi nga institucionet vendor dhe ndërkombëtare për vrasjen e 106 qytetarëve në Pastasel./KosovaPress/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024