Përfundon seanca, mbrojtja e Mustafës vazhdon nesër me deklaratën përmbyllëse

Mbrojtja e Salih Mustafës do të vazhdojë nesër me paraqitjen e deklaratës përfundimtare.

Gjatë ditës së sotme, avokati Julius von Bone ka treguar pretendimet e mbrojtjes lidhur me mos besueshmërinë e deklaratave të dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Ai ka thënë se Salih Mustafa nuk ka kryer asnjë nga krimet me të cilat e ngarkon prokuroria.

Duke folur për akuzën për trajtim mizor, Von Bone ka theksuar se Mustafa as nuk ka qenë në dijeni se një krim i tillë mund të jetë kryer.

“Mbrojtja parashtron se zotëri Mustafa nuk e ka kryer këtë krim, kaq e thjeshtë është, ai as nuk ishte fare në dijeni të faktit që këta persona ishin të ndaluar ose për çfarëdo lloj arsye mund të kenë qenë të ndaluar. Ai nuk e di fare se ku mund të kenë qenë ta të ndaluar. Ai nuk ka urdhëruar as nuk ka nxitur krime të tilla, zotëri Mustafa nuk ka kryer asnjë trajtim mizor përmes formave të përgjegjësisë penale siç parashtrohet nga ZPS. Nuk ka asnjë provë që mbështet asnjë mos-veprim prej tij që trajtimi mizor do të ishte kryer kundër ndonjë individi. Kështu që në rastin në fjalë nuk kemi të bëjmë as me kryerje përmes mosveprimit”, ka thënë avokati mbrojtës.

Gjatë paraqitjes së deklaratës përfundimtare, mbrojtja e Salih Mustafës ka folur rreth dëshmive që kanë dhënë dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, pjesë nga të cilat ka theksuar se nuk janë të besueshme


Avokati Julius von Bone ka thënë se Salih Mustafa asnjëherë nuk ka kryer vrasje dhe as ndaluar dhe maltretuar njerëz, në kompleksin e Zllashit apo ndonjë vend tjetër.

Ai ka thënë se Mustafa i rrëzon me vendosmëri të gjitha akuzat dhe se ai nuk kishte urdhëruar kryerjen e krimeve dhe nuk kishte njohuri se ato janë kryer siç pretendon Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Kryetarja e trupit gjykues ka bërë të ditur se në seancën që do të mbahet nesër, përveç deklaratës përfundimtare të mbrojtjes, do të dëgjohet edhe përgjigja e ZPS-së dhe mbrojtëses së viktimave në çështjet që ka ngritur pala mbrojtëse, lidhur me fajësinë apo pafajësinë.

Ndërsa në seancën e së martës ZPS ka kërkuar që Salih Mustafa të shpallet fajtor për katër pikat e aktakuzës dhe të merr një dënim unik prej 35 vjet burgim.

Në fillim të këtij procesi Salih Mustafa, ndaj të cilët rëndojnë akuza me pretendimin për krime lufte, ishte deklaruara i pafajshëm para trupit gjykues.

Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.

Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë prej 24 shtatorit të vitit 2020 kur është arrestuar.

Lexo edhe

Video