Përfaqësuesit e VV në KQZ akuzojnë Dakën për humbje kredibiliteti, mbyllet mbledhja me mospajtime

Mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar sërish me mospajtime ndërmjet anëtarëve të këtij institucioni.

Anëtari i KQZ-së Alim Rama nga VV-ja sërish ka qenë i shqetësuar se përse anëtarëve të KQZ-së po i pengon procedimi i pakove me fletëvotime që vijnë edhe të shtunën.

Ai tha se video-mesazhi për t’u bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në zgjedhje, nuk duhet të bëhet nga një person që e ka humbur kredibilitetin dhe që e konsideron veten person të urryer.

“Një video që e kundërshtova në këshillin për Informim Publik, ka të bëjë se ju kryesuese keni deklaruar para një jave që jeni personi më i urryer në Kosovë. Prandaj, mua nuk po më duket e arsyeshme që tash video-ftesa me ardhur nga një person i cili ka humbur kredibilitetin. Kështu që unë kisha kërkuar që KQZ-ja si e tërë ta bëjë ftesën kolektive për me ftuar votuesin në zgjedhje”, tha Rama.

Ndaj kësaj deklarate të përfaqësuesit të VV-së ka reaguar kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

“A e keni pyetur ndonjë herë veten pse kam deklaruar ashtu”, theksoi Daka.  

Rama duke iu përgjigjur Dakës tha se, arsyeja humbjes së kredibilitetit, është kundërshtimi i procedimit të pakove nga diaspora për të shtunën.

“Po, më parë votuat mos me ia lejuar qytetarëve me u numëruar votat të shtunën dhe mos me I marrë parasysh pakot të shtunën. Tash ju mundeni me shkuar”, tha ai.


Pas kësaj Daka bashkë me anëtarët e tjerë të këtij institucioni e lëshuan sallën dhe braktisën mbledhjen e KQZ-së.

Reagime për mbylljen e mbledhjes në këtë mënyrë pati edhe nga anëtari tjetër i KQZ-së, Sami Kurteshi.

“Kjo është mënyrë qyqare e mbylljes së një mbledhje”, tha Kurteshi.

Ndërsa, në mbledhjen e sotme të KQZ-së është thënë se deri në ditën e djeshme, nga diaspora në KQZ kanë arritur 5 mijë e 754 pako me fletëvotime.

Megjithatë, kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, në mbledhjen e sotme tha se në këto pako mund të ketë më shumë fletëvotime.

Ahmetaj ka treguar se ato po mbahen në Ministrinë e Infrastrukturës me një siguri të lartë, derisa ka shtuar se në ditën e zgjedhjeve këto pako do të dërgohen në QNR për trajtim dhe numërim.

“Vendi ku do të mbahen të gjitha këto dërgesa është në hapësirën e Ministrisë së Infrastrukturës. Vendi është i siguruar mirë, kemi katër kamera funksionale në hapësirën e brendshme, dhe një kamerë e cila e siguron hapësirën e jashtme. Sigurisht që është edhe policia e Kosovës që bën sigurimin e objektit. Sot pritet t’i marrim dërgesa edhe nga dy posta të tjera, njëra prej tyre është DHL. Më 6 shkurt janë pranuar 2 mijë e 776 pako me fletëvotime nga posta e shpejtë DHL, më 8 shkurt janë pranuar 2 mijë e 799 pako nga qendra tranzitore e postës dhe 179 pako nga posta numër 6, ku gjithsejtë janë 5 mijë e 754 pako me fletëvotime, ndërsa brenda pakove mund të ketë më shumë zarfe. Sekretariati parasheh që më datën 14 shkurt të bëhet transferimi i dërgesave nga vendi i mbajtjes në QNR, ku do të bëhet edhe vlerësimi i pakove”, tha Ahmetaj.

Në mbledhjen e sotme të KQZ-së janë akredituar edhe mbi 6 mijë vëzhgues nga disa subjekte politike, media dhe OJQ. Ndërsa, numri total deri tash i vëzhguesve të akredituar ka arritur rreth 30 mijë për monitorimin e zgjedhjeve më 14 shkurt.

KQZ sot ka miratuar edhe dokumentin “Trendet zgjedhore në Republikën e Kosovës 2009-2019”.

Lexo edhe

Video

error: