Përfaqësues politikë dhe fetarë bëjnë homazhe në Prekaz në përkujtim të Epopesë së UÇK-së
Drejtat Autoriale
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
Përfaqësues politikë dhe fetarë bëjnë homazhe në Prekaz në përkujtim të Epopesë së UÇK-së
pacarizi
05/03/2026 - 18:24
Linku u kopjua

Në kuadër të shënimit të 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, figura politike dhe fetare kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz.

Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Obiliq, Xhafer Gashi, tha se kjo ditë është e veçantë për historinë e Kosovës dhe për kujtimin e sakrificës që çoi drejt lirisë.

“Ne sot me bashkëpunëtorë jemi këtu për të nderuar jetën dhe veprën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe të gjithë dëshmorëve për liri. Është ditë e veçantë, sepse unë mendoj se nga këtu filloi gjithçka që të jemi sot ne të lirë dhe lavdi e përjetshme për të gjithë të rënët për liri”, tha Gashi.

Në lidhje me propozimin që Murat Jashari të kandidohet për president , ai tha se ky është një vendim që i takon vetëm familjes Jasharit.

“Janë çështje të brendshme të zotit Jashari. Unë mendoj se familja Jashari ka dhënë shumë kontribut dhe besoj se është e gatshme në vazhdimësi të japë kontribut, por deklarimet e tij për mua janë të pranueshme”, tha Gashi.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, tha se Prekazi mbetet simbol i qëndresës dhe i fillimit të luftës për liri.

“Erdhëm në Prekazin historik, në Prekazin legjendar ku prej këtu ka filluar liria, prej këtu ka filluar qëndresa, prej këtu ka filluar rezistenca jonë e armatosur. Prandaj çdo qytetar, mirëpo çdo bartës i institucionit duhet që çdo ditë të punojë fort me qëllim që të realizohen interesat e qytetarëve të gjithë Republikës, por sigurisht edhe të realizohet amaneti i dëshmorëve për çka edhe kanë dhënë jetën: Adem Jashari me familjen e tij, po edhe të gjithë dëshmorët e Republikës së Kosovës“, tha Kastrati.

Ai thai se këto data rikujtojnë sakrificën e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi. Duke folur për emocionet që zgjon vizita në Prekaz në këto data përkujtimore, Kastrati tha se ato janë të forta dhe rikujtojnë sakrificën për liri.

“Familja Jashari është, thashë, është emblemë e popullit shqiptar, prandaj çdokund që ai është, çdokund që ai gjendet, çdo udhëheqje institucioni që bën apo që merr përsipër është për ne, është vlerë, pjesë e krenarisë dhe e vetëmohimit të popullit shqiptar”, u shpreh Kastrati.

Ndërsa, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Malishevë, Sehat Paçarizi, tha se Epopeja e UÇK-së mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Kosovës.

“Vepra e tyre, heroizmi i tyre ka qenë një shembull  dhe hapi dyert e liriëe që kjo liri edhe të kurorëzohet me pavarësinë e Kosovës. Andaj ne lusim Zotin që kryelegjendarin, komandantin Adem Jashari, familjen e tij dhe të gjithë dëshmorët e rënë për lirinë e vendit, Zoti t’i mëshirojë dhe t’i shpërblejë për gjithë kontributi dhe që ne sot na kanë mundësuar të jetojmë të lirë, të veprojmë të lirë dhe të kemi shtetin tonë për të cilin duhet të punojë secili prej nesh edhe më tepër”.

Duke folur për emocionet që zgjon vizita në Prekaz, ai tha se ky vend mbetet simbol i sakrificës së popullit shqiptar.

“Prekazi legjendar është një vend në të cilin për secilin shqiptar, në momentin që vjen dhe i afrohet këtij vendi, emocionet janë të ndryshme dhe natyrisht që njeriu emocionohet sidomos kur ka parasysh që po hyn në një fshat të sakrificës, në një fshat, në një vend, në një ambient në të cilin u flijuan thuajse pothuajse të gjithë për lirinë e vendit. Andaj neve kjo na bën krenarë që të kemi mundësi të jemi në këtë vend dhe t’i kujtojmë me përulësi, me përulësinë më të madhe, me lutjet më të mëdha te i Madhi Zot të gjithë të rënët.”

Sa i përket  propozimit që Murat Jashari të jetë kandidat për president, Paçarizi tha se nuk dëshiron të komentojë çështje politike.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026