Pensionohet Majlinda Kelmendi: Shpresoj se ju bëra krenarë me paraqitjet e mia, populli im

Në një ceremoni shtetërore të organizuar nën patronatin e presidentes së Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, xhudistja Majlinda Kelmendi i ka dhënë fund karrierës së bujshme të saj në sportin e xhudos ku i dha Kosovës një numër të madh të medaljeve ta arta e të argjendta.

Në këtë ceremoni ishin pjesëmarrës figura të shumta nga jeta politike dhe publike në Kosovë si dhe ambasadorë të vendeve të ndryshme në vend.

Me këtë rast presidentja e vendit Vjosa Osmani ia dhuroi Majlinda Kelmendin dekoratën me emrin e heroinës Shotë Galica derisa vlerësoi lartë suksesin e saj nëpër botë. Ajo theksoi se Majlinda ishte shumë e përkushtuar për ta bërë krenarë popullin e Kosovës kudo që luftoi dhe dëshmoi se nuk ka shtete të vogla që nuk mund të tregohen të suksesshme ne sportin e xhudos.

“Ajo me të drejtë cilëshet si legjendë e sportit të xhudos, ajo me të drejtë konsiderohet heroinë e Kosovës. Me tri dekada të jetës së saj Majlinda u bë fytyra e Kosovës së sotme që e bëri shtetin tonë të tillë çfarë e duam. Flamuri kaltërverdhë valoi majave krahas flamujve të shteteve më të mëdha anë e këndë globit falë triumfit të Majlindës…Majlinda është ëndrra jonë e realizuar, është me të vërtetë heroina jonë. Kosova për herë të parë u përfaqësua në Lojërat Olimpike Rio 2016 me Majlindën dhe mu herën e parë ajo i solli Kosovës medaljen e parë të artë…Majlinda tani e tutje do ta vazhdojë rrugëtimin e saj në angazhime të tjera në sport ku besoj fuqishëm sërish ajo do të jetë adrës e patejkalueshme e suksesit. Asaj i ka hije çfarëdo shpërblimi sepse ajo e meriton cilindo shpërblim… Majlinda guxojë për ta bërë ëndrrën e saj dhe të shtetit tonë realitet, ndaj si guximtare, këtë kapitull jetësor të saj nuk ka se si ta përmbyll ndryshe pos edhe me një dekoratë e cila e mban edhe emrin e një gruaje tjetër po aq guximtare të cilën do t’ia dorëzojë sot. Sikurse heroina jonë shotë Galica në beteja me pushkë, Majlinda në Beteja sportive mbajti gjallë frymëzimin për breza të tërë krenarinë tonë kombëtare, mbrojti dinjitetin tonë dhe valviti lartë flamurin e shtetit të Kosovës, prandaj me përulësi të them faleminderit Majlindë.”, tha Osmani.


Kurse trajner i Majlinda Kelmendit Driton Kuka e falënderoi xhudisten nga Peja për sukseset e arritura duke i uruar që të jetë e suksesshme edhe në karrierën e saj si trajnerë në vazhdim derisa nuk i mbajti lotët në fjalimin e tij.

“Për Majlindën mund të flas me vite por nuk dua të zgjatëm shumë vetëm dua të iu falënderoj dhe do të jem mirënjohës deri në qiell si trajner i yti. Më krenove mua, familjen tonë të xhudos, familjen tënde dhe mbi të gjitha krenove një komb shqiptar anë e mbanë botës. Dhashtë Zoti që tani të shkëlqesh në një detyrë të re, unë si trajner t’i kam vendosur standardet shumë të larta por me sinqeritetin më të madh të urojë që edhe në detyrën e trajnerit të bëhesh më e suksesshme se unë”, tha Kuka.

“Një falënderim shumë, shumë i madh nga zemra shkon për vendim tim, shkon për popullin tim të cilët më kanë përkrahur gjithmonë pa kushte edhe e di që unë jam për ju heroinë, e di që më krahasoni me Nënë Tereza, me Adem Jasharin por duhet ta dini që motivi imë më i madh për të arritur këtu ku jam jeni ju. Kam punuar gjithmonë 200 përqind, kam dhënë gjithmonë më shumë se maksimumin prej vetes vetëm që të mos iu zhgënjejë ju dhe të iu bëjë krenar, po shpresoj shumë që ia ka arritur kësaj. Shpresoj shumë që iu kam bërë krenar, iu kam sjellë lot gëzimi, në momente të caktuara edhe lot hidhërimi, mirëpo ka qenë nder, krenari, privilegj shumë i madh për mua që ta përfaqësojë Kosovën, të iu përfaqësojë juve populli im dhe iu jam mirënjohës deri në frymën time të fundit dhe iu dua pa fund”, tha në fund mes lotësh Kelmendi.

Ndryshe, Majlinda Kelmendi gjatë karrierës së saj i solli Kosovës 46 trofe të rëndësishëm në sportin e xhudos dhe ndër to ajo u shpall dy herë kampion bote, katër herë kampion evrope dhe një here u shpall medaliste olimpike.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.