Pensionohet Cahill, ish-futbollisti i Chelseat dhe i Anglisë

Pensionohet Cahill, ish-futbollisti i Chelseat dhe i Anglisë

Ish-mbrojtësi i Chelseat, Gary Cahill ka njoftuar për pensionimin e tij nga futbolli në moshën 36 vjeçare.

Ish-reprezentuesi i Kombëtares së Anglisë, i cili po ashtu ka luajtur edhe për Aston Villan, Boltonin, Crystal Palace dhe Bournemouthin e konfirmoi lajmin përmes një komunikate në rrjetet sociale, raporton KosovaPress.

Suksesi më i madh i Cahill erdhi gjatë aventurës së tij me Chelsean, ku ishte pjesë e skuadrës e cila fitoi Premier Ligën dhe trofeun e Ligës së Kampionëve.


“Futbolli është një lojë e cila më ka dhuruar shumë kënaqësi dhe sukses dhe përderisa e marr këtë vendim për tu pensionuar, mund sinqerisht të them se kam dhënë gjithçka nga vetja ime. Kam arritur gjëra të cilat një kohë i kam ëndërruar, duke krijuar kujtime magjepsëse. Nga pika më e lartë si triumfi në Ligën e Kampionëve dhe Premier Ligë, e deri te të qenit lider i shtetit tim dhe Chelseat në FA Cup, këto do të mbesin përgjithmonë me mua”, shkruante Cahill në “Instagram”.

“Unë gjithashtu kam bërë disa miqësi fantastike me njerëz në mbarë botën e futbollit, nga shokët e skuadrës, menaxherët dhe heronjtë e pakënduar prapa skenave, dua të them vetëm një falënderim masiv. Marrja e vendimit për tu pensionuar nuk është i lehtë. Kam kaluar 20 vite duke u stërvitur çdo ditë, duke u munduar që të jem në formën më të mirë të mundshme për ditën e ndeshjes për të ndihmuar skuadrat për të cilat kam luajtur të jenë të suksesshme. Kam pasur kohë për të shqyrtuar opsionet e mia dhe pas shumë diskutimesh dhe reflektimi ndjej se tani është koha për të kaluar në fazën tjetër të karrierës sime”, shkruante më tej Cahill.

Cahill bëri 290 paraqitje për Chelsean, duke fituar Ligën e Kampionëve në sezonin e tij të parë, si dhe Premier Ligën në sezonet 2014/15 dhe 2016/17.

Pas largimit nga Chelsea në vitin 2019, ai kaloi dy sezone në Crystal Palace dhe kaloi sezonin e fundit në Bournemouth dhe i ndihmoi ata të ktheheshin në Premier Ligë me promovim.

Lexo edhe

Video