Pele lirohet nga spitali

Pele lirohet nga spitali

Legjenda braziliane e futbollit Pele është liruar nga spitali, por tretmani i tij për tumor në zorrën e trash do të vazhdojë.

Tre herë fituesit të Kupës së Botës iu desh një operim në muajin shtator për ta larguar tumorin, dhe menjëherë pas operimit filloi me kimioterapi si pjesë e rehabilitimit, përcjell KosovaPress.

Më pas, më 8 dhjetor ai përsëri u shtrua në spitalin “Albert Einstein” të Sao Paulos, ku gjendja e tij përshkruhej si stabile.


Ditën e nesërme Pele përmes “Instagramit” të tij kishte treguar për gjendjen e tij shëndetësore, duke thënë që tifozët nuk kanë se për çfarë të brengosen.

“Siç ju kam premtuar, do të kalojë Krishtlindjet me familjen time. Jam duke u rikthyer në shtëpi. Faleminderit shumë për të gjitha mesazhet e mira”, shkruante Pele.

“Edson Arantes do Nascimento është liruar nga spitali Israelita Albert Einstein të enjten mbrëma më datën 23 dhjetor 2021. Pacienti është gjendje stabile dhe do të vazhdojë tretmanin e tij për tumorin në zorrën e trash, i cili iu identifikua në shtator të këtij viti”, shkruante në komunikatën zyrtare të spitalit Albert Einstein.

Ish-sulmuesi i New York Cosmos është lojtari i vetëm në histori të futbollit që e ka fituar Kupën e Botës plot tre herë, duke e kthyer këtë trofe në Brazil në vitet 1958, 1962 dhe 1970.

Lexo edhe

Video