Peja shpallet kampione e Kosovës në volejboll

Peja shpallet kampione e Kosovës në volejboll

Peja ka fituar edhe ndeshjen e tretë finale të playoffit kundër Lubotenit për t’u shpallur kampione e Kosovës në volejboll për sezonin 2021/22, meshkujt.

Ekipi pejan ka fituar me rezultat 3-0 në sete (25-21, 25-22, 25-16) edhe në përballjen e tretë kundër ekipit ferizajas, duke regjistruar fitoren e tretë nga po aq ndeshje në finale, eventualisht për t’u shpallur kampion me plot meritë.

Pejanët dominuan Lubotenin që nga përballja e parë, të cilën e fituan me rezultat 3-1, teksa me të njëjtin rezultat fituan edhe takimin e dytë.


Në të tretin kryen punën në tre setet e parë, duke kurorëzuar një sezon tejet të suksesshëm për këtë ekip, i cili javë më parë fitoi edhe Kupën e Kosovës.

Pas përfundimit të ndeshjes u ndanë edhe medaljet për të dy ekipet. Medaljet për vendin e dytë i ndanë kryetari i Kuvendit Komunal të Pejës, Rexhep Kurtbogaj dhe anëtari i Bordit të Federatës së Volejbollit të Kosovës (FVK), Abedin Mehani.

Për kampionët medaljet u ndanë nga Sekretari i Përgjithshëm i FVK-së, Valon Nikqi dhe anëtari i Bordit të FVK-së, Gazmend Husaj.

Trofeu më prestigjioz në volejbollin kosovar në fund iu dorëzua kapitenit të Pejës, Agron Nikçi, nga presidenti i FVK-së, Bahri Gjinovci, para festës spektakolare në “Karagaqi” para një numri të madh fansash nikoqirë.

Lexo edhe

Video