PEDAKOS mban punëtorinë për zhvillimin e institucioneve parashkollore

Ka nisur të martën punëtoria e parë për Zhvillimin e Kolegjiumit të Drejtorëve të Institucioneve Parashkollore të Kosovës, e organizuar nga PEDAKOS, i cili synon ta bëjë Kolegjiumin një forum sektorial efektiv në nivel kombëtar dhe me pjesëmarrje të kopshteve të të gjitha llojeve dhe me përfshirje të institucioneve kompetente.

Me këtë rast, zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Edona Maloku-Bërdyna tha se qasja dhe përfshirja e fëmijëve në edukimin e hershëm nuk është ende në nivelin e dëshiruar, derisa shtoi se edukimi i hershëm mbetet prioritet i ministrisë.

Ajo u shpreh optimiste që punëtoria e sotme do të thellojë bashkëpunimi mes institucioneve parashkollore në mënyrë që të evidentohen sfidat dhe të gjendet zgjidhja më e mirë, në mënyrë që fëmijët të edukohen në ambiente meritore.

“Edukimi parashkollor është ndër prioritetet kryesore të arsimit të vitit 2021-2025 për ne si Ministri, prandaj aktivitet që ndihmojnë zhvillimin e cilësisë në këtë nivel të arsimit janë shumë të rëndësishme. Me angazhimin tonë, ne po punojmë që të rrisim qasjen dhe përfshirjen e fëmijëve në edukimin e hershëm, e cila për fat të keq ende nuk është në nivelin që do të dëshironim ta kishim. Përveç rritjes infrastrukturës që synojmë ta rrisim dukshëm, e shohim esenciale edhe zhvillimin e kapaciteteve njerëzore për këtë nivel, me qëllim që fëmijët tanë të kenë mundësinë të marrin shërbime cilësore dhe formative ashtu çfarë i meritojnë”, tha ajo.

Zëvendës-shefi i Misionit të Italisë në Kosovë, Ugo Ferrero tha se edukimi parashkollor shndërron fëmijët në qytetarë aktivë dhe të përgjegjshëm.

“Ne mendojmë që edukimi parashkollor ka të bëjë me edukimin e nxënësve dhe fëmijëve, por mbi të gjitha në  shndërrimin e tyre në qytetarë aktivë, dhe të ndërgjegjshëm që marrin pjesë aktivisht në jetën publike… Projekti në vetvete përmban 3 komponentë kryesore: komponentën e formimit, komponentën e praktikave të mira dhe komponentën e partneritetit publiko – privat. Dhe mu në këtë shtyllën e fundit futet projekti që është si ndihmë për Ministrinë e Arsimit, përmes të cilit pastaj ne do të përpiqemi t’i edukojmë parashkollorët. Ne mendojmë se pjesëmarrja nga poshtë i ndihmon krijimit të shkollave moderne, profesionale dhe gjithëpërfshirëse”, tha ai.

Udhëheqësja e divizionit parashkollor në ministrinë e Arsimit, Labëri Luzha, tha se projekti PEDAKOS vë në dispozicion për Kosovën një përsosmëri italiane, të njohur globalisht në fushën e edukimit e që është “Reggio Emilia Aproach”.

“Projekti i PEDAKOS vë në dispozicion për Kosovën një përsosmëri italiane, të njohur globalisht në fushën e edukimit, e cila është qasja ‘Reggio Emilia Aproach’, e cila tashmë implementohet në 35 vende të botës. Ne jemi shumë të lumtur që në vitin 2020 kemi arritur të finalizojmë një marrëveshje te bashkëpunimit dhe të zbatojmë këtë metodologji edhe në kopshtet e Kosovës. Kjo metodologji do të realizohet në Kosovë me partnerët kryesorë siç është MAShT, Instituti Pedagogjik dhe Universiteti i Prishtinës. Pjesë e këtij projekti janë edhe 15 institucione parashkollore, publike, private dhe ato me partneritet publiko-privat”, u shpreh ajo.

Kryetarja e Kolegjiumit të Drejtorëve të IP në Kosovë, Mevlude Murtezi u shpreh shumë e lumtur që ky projekt po gjen zbatim.

Ajo theksoi se është shumë e rëndësishme që të gjithë fëmijët pa përjashtim të marrin shërbime cilësore në kuadër të edukimit të hershëm.


“Gjithmonë kam menduar që ky trup do të përfshijë të gjithë fëmijët e Kosovës, të kësaj moshe dhe të gjithë të marrin ato shërbime cilësore, pa dallim njëri – tjetrit. I falënderoj të gjitha koleget e mia që kanë qenë të gatshme të marrin pjesë në këtë punëtori gjatë këtyre dy ditëve”, u shpreh ajo.

Koordinatori i PEDAKOS, Matteo Mancini, tha se projekti buron nga prania 20-vjeçare e RTM-së në Kosovë dhe nga një studim fizibiliteti i kryer në vitin 2018, i cili kishte vënë në pah shqetësim të gjerë në lidhje me cilësinë e ulët në kuadër të edukimit parashkollor në vend.

Mancini bëri të ditur se qëllimi kryesor i projektit është rritja e cilësisë së shërbimeve që ofrohen në kuadër të arsimit parashkollor.

“Studimet e fizibilitetit na patën treguar një shqetësim për një nivel të ulët të cilësisë në kuadër të edukimit parashkollor në vend. Në veçanti patën dalë tri pika kryesore: nevoja e edukimit profesional të personelit parashkollor, metodat e edukimit të mësimdhënies nga lart-poshtë, dhe mungesa e integrimit në mes të pjesës publike dhe asaj private. Projekti ka si qëllim kryesor të mbështesë Kosovën në planin strategjik 2017 – 2021 në lidhje me komponentin parashkollor, me qëllim që protagonistët e ndryshimit të vijnë nga poshtë – lart, derisa ata të shndërrohen në promovues të të drejtave të fëmijëve dhe të promovojnë një dialog konstruktiv bashkë me institucionet. Qëllimi kryesor është rritja e cilësisë së shërbimeve që ofrohen në kuadër të arsimit parashkollor duke u nisur nga sistemi publik, privat dhe nga ajo që e ofron komuniteti juaj”, bëri të ditur ai. 

Ndërkaq Cristian Fabbi, konsulent për fëmijërinë e hershme tha se përmes investimeve në nivelin parashkollor garantohet demokracia e vendit.

Ai bëri thirrje që Kosova të përqafojë qasjen e qytetit Reggio Emilia në Itali për ngritjen e cilësisë së shërbimeve në institucionet parashkollore.

“Unë do të thoja që investimet që ju jeni duke bërë nuk është vetëm për shkollat. Ky investim shkon në demokratizimin e vendit tuaj. Përmes investimit në parashkollor ju i vendosni bazat e demokracisë. Unë ua përmenda të dhënat, mund t’i marrim këto të dhëna në kuadër të indeksit të zhvillimit dhe të barazisë gjinore, dhe të gjitha këto na ndihmojnë që të kemi edhe më herët demokracinë. Pasi kjo nënkupton se gratë do të futen në punë dhe mund t’ua përcjellin fëmijëve këto kompetenca… Prandaj përdoreni ‘Reggio Emilia Aproach’, që ka shfaqur dëshirën që të tregojë solidaritet me vendet që kanë zgjedhur të ndjekin zhvillimin e nivelit parashkollor”, tha ai.

Kolegjiumi i Drejtorëve të Institucioneve Parashkollore të Kosovës është organ përfaqësues i institucioneve parashkollore të vendit dhe aktualisht ka më shumë se pesëdhjetë anëtarë nga institucionet parashkollore publike dhe private. Procesi i projektuar nga projekti PEDAKOS synon ta bëjë Kolegjiumin një forum sektorial efektiv në nivel kombëtar dhe me pjesëmarrje të kopshteve të gjitha llojeve dhe me përfshirje të institucioneve kompetente.

Kjo punëtori e parë synon të finalizojë dhe miratojë rrugëtimin e rifillimit të Kolegjiumit dhe të hartojë një version preliminar të statutit të tij.

Ndërkaq, PEDAKOS është një projekt i financuar nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS) dhe zbatuar nga Volontari nel Mondo RTM me mbështetjen e selisë së AICS në Tiranë dhe Ambasadës Italiane në Kosovë. Projekti synon të rrisë cilësinë e shërbimeve edukative të ofruara nga kopshtet publike, private dhe me bazë në komunitet, duke stimuluar partneritetet publiko-privat në të gjitha nivelet.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: