Peci: Asociacioni duhet të formohet, të jetë pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë

Drejtori i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), Lulzim Peci, ka deklaruar se duhet të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, por që kjo duhet të jetë pjesë e pakos gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Këto komente ai i bëri gjatë prezantimit të raportit tre mujor “Observeri i Kosovës: Lufta Diplomatike Ruse dhe Dezinformimi Medial, 15 gusht – 1 tetor, 2021”. 

Ai u shpreh se Kosova ka obligim ndërkombëtar që ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, pasi sipas tij pa themelimit e të njëjtës nuk mund të arrihet marrëveshje me Serbinë.


“Kosova ka obligim ndërkombëtar që ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, sepse ne kemi ratifikuar marrëveshjen e 2013-ws në Parlamentin e Kosovës, ku parashihet krijimi i këtij Asociacioni. Në anën tjetër edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nuk e mohon krijimin, nuk thotë që nuk bënë të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, mirëpo i jep vërejtjet e saj në përmbajtjen e marrëveshjes së 2015-ws. Nuk e konteston emrin Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Gjykata Kushtetuese nuk e konteston këtë emër, pavarësisht se çfarë thonë liderët e Kosovës tani që janë në pozitë. Unë mendoj që ky Asociacion duhet të formohet, mirëpo kjo duhet të jetë pjesë e pakos gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Pa këtë ne nuk mund të arrijmë marrëveshje me Serbinë, por po ashtu nuk do të mund të kemi edhe përkrahje dhe mirëkuptim nga bashkësia ndërkombëtare, nëse e vëreni këtë e kërkojnë nga Uashingtoni në Bruksel dhe të gjitha kryeqendrat kyçe”, tha ai.

Ai i ka komentuar edhe deklarimet e kryeministrit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë për bashkim në mes dy vendeve, deklarime të cilat tha se vetëm po i dëmtojnë të dyja shtetet në raport me bashkësinë ndërkombëtare.

“Tendencat e tilla janë duke u lexuar jo vetëm nga Rusia fatkeqësisht, po edhe në Bruksel edhe në Uashington me shqetësim. Lojërat e tilla i vejnë dy vendet e tona, të cilat për mua më tepër kanë karakter popullist, në pozitë të palakmueshme edhe për ta kundërshtuar ‘Botën Serbe’, të cilën Serbia më tepër është duke e realizuar e më pak po flet për të, ndërsa Tirana dhe Prishtina shumë më tepër flasin për bashkim e shumë pak realisht janë duke bërë për të, pra janë duke shkaktuar një dëm shumë të madh… Përdorimi i këtij vokabulari kur nuk ka kurrfarë gjasa që të realizohet, po vetëm i shkakton dëm edhe Shqipërisë edhe Kosovës duhet të ndalet sa më shpejt që është e mundur. As Kosova e as Shqipëria në këtë situatë çfarë është Ballkani, po edhe kur qetësohet Ballkani nuk e kanë luksin që të merren me aventura të tilla politike dhe po i quaj aventura politike, sepse janë të tilla, po flas për liderët e të dy vendeve”, tha ai.

Peci tha se duke qenë që Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë nuk mund të bëhet pa aprovimin e të gjitha vendeve të NATO-s, sepse kjo nënkupton zgjerimin e garancive të sigurisë së NATO-s edhe për territorin e Kosovës.

Lexo edhe

Video

error: