Emisari special i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach gjatë një takimi sot me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi në Prishtinë, ka deklaruar se vendi i tij do ta përkrahë Kosovën nga pozita ku ndodhet, sidomos në kuadër të aleancës së NATO-s.
Në këtë takim, zëvendëskryeministri Bislimi theksoi angazhimin dhe konstruktivitetin e vazhdueshëm, që nga fillimi i mandatit, në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, me fokus në marrëveshjen finale, me njohjen reciproke në qendër.
Bislimi e informoi Peach rreth situatës me energji në veri si dhe me situatën energjetike në Kosovë në përgjithësi, për të cilën diplomati britanik ofroi disponueshmërinë e tij, të ndihmojë aty ku është e mundur, duke pasur parasysh krizën e përgjithshme që ka kapluar Evropën.
Bislimi theksoi se për Kosovën, Britania e Madhe ka qenë dhe vazhdon të mbetet aleat i fuqishëm dhe përfshirja e tyre në proceset me rëndësi nëpër të cilat po kalon vendi, është pozitive për ne si shtet, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga Qeveria e Kosovës.