PDK: Trusti pritej të kalonte, Vetëvendosje e ndërpreu seancën

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka adresuar kritika ndaj Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet për pamundësim të votimit të nismës ligjore për tërheqjen e 30 për qind të mjeteve nga Trusti, duke ndërprerë punimet e seancës së sotme parlamentare.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri së bashku me deputetin Bekim Haxhiu, në një konferencë për media kanë ngritur shqetësimin për ndërprerjen në mënyrë arbitrare të seancës nga kryeparlamentari Glauk  Konjufca, pikërisht në momentin që pritej debati për trustin.

Tahiri ka thënë se pushteti i udhëhequr nga Vetëvendosje dhe Albin Kurti, po gjejnë metoda për ta penguar votimin e Trustit në Kuvend.


“Edhe sot në mënyrë të paprecedentë, në mënyrë arbitrare u ndërpre seanca e Kuvendit të Kosovës, pikërisht kur ishim te pika e diskutimit të Trustit, për një kërkesë e rreth 695 mijë kontribuuesve dhe në mënyrë të paprecedentë ndërpritet seanca, e thuhet që do të vazhdojë nesër. Pra, nëse ndërpritet seanca apo do të vazhdojë këtë e vendos vetë seanca me mocion procedural, jo kryetari i Kuvendit. Kështu ka ndodhur në të kaluarën, kur të ndërpritet seanca, vendos vetë seanca se a do të vazhdojë punimet apo jo. E patë që ishin prezentë rreth 80 deputetë dhe nuk kishte arsye që të mos vazhdohej… Kjo është e papranueshme, sepse është një kërkesë e qytetarëve”, theksoi ai.

Ndërsa, deputeti Bekim Haxhiu si iniciues i kësaj nisme ligjore tha se Trusti pritej të kalonte, por nën presionin e ushtrueses së detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza  Kusari-Lila, kryeparlamentari Glauk  Konjufca vendosi ta ndërpresë seancën.

“Kryetari i Kuvendit, ashtu edhe si disa deputetë të mazhorancës, iu nënshtruan presionit të qeverisë nga frika se projektligji për Trustin do të kalojë sot, me presionin edhe të shefes së Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, e cila shkoi te kryetari i Kuvendit dhe kërkoi të ndërpritet seanca”, tha ai.

Shefi i GP të PDK-së paralajmëroi se nëse edhe nesër nuk kalon projektligji dhe nëse Qeveria nuk merr masë konkrete për ngritjen e mirëqenies së qytetarëve, qoftë përmes përmirësimit të pagës minimale ose formave të tjera, do ta rishikojnë mundësinë e sjelljes së projektligjit përsëri në Kuvend në nëntor.

Lexo edhe

Video