PDK: Qeveria Kurti shkeli rendin kushtetues duke kufizuar lirinë e lëvizjes

PDK: Qeveria Kurti shkeli rendin kushtetues duke kufizuar lirinë e lëvizjes

Partia Demokratike e Kosovës dënon ashpër, siç thuhet, përpjekjen e Qeverisë Kurti për të cenuar rendin demokratik e kushtetues nëpërmjet vendimeve të saja përmes vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme, duke e quajtur këtë veprim antikushtetues.

Vendimi i Qeverisë në largim e Kosovës, është një akt i paligjshëm sepse shkel në mënyrë flagrante Kushtetutën. Liria e lëvizjes dhe liritë tjera që preken nga masat e fundit të marra prej Qeverisë, janë të shenjta e të garantuara nga Kushtetuta dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njerëzve që ka miratuar Kosova, thuhet në reagim.

Neni 56 i Kushtetutës së Kosovës për Të Drejtat dhe Liritë Themelore e shpreh qartë e pa ekuivok, “se shmangia nga  të drejtat dhe liritë themelore që mbrohen me Kushtetutë, mund të bëhet vetëm pas shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme”.

Kjo qeveri ka tejkaluar kompetencat e saja, përderisa ende nuk është aprovuar në Kuvendin e Kosovës shpallja e Gjendjes së Jashtëzakonshme, konsideron PDK.


PDK konsideron se Qeveria e Kosovës është treguar e vonuar, e mangët dhe neglizhente sa i përket masave të marra për t’u përballur me pandeminë dhe ka propozuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, si hapin e duhur për t’u përballur siç duhet me kërcënimin e pandemisë.

“PDK kurrsesi nuk do të lejojë që kryeministri në largim, Kurti, të shfrytëzojë situatën për të shkelur shtetin e së drejtës, për t’i dhënë vetes kompetenca që nuk i takojnë duke shkelur Kushtetutën, andaj i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të tërheqë këtë vendim antikushtetues dhe të mbështesë vendosjen sa më shpejt të gjendjes së jashtëzakonshme që do të mundësojë që masat anti-pandemi të ndërmerren në mënyrën ligjore”, thuhet në komunikatë.

Neni 56 Të Drejtat dhe Liritë Themelore gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme thotë se shmangia nga të drejtat dhe liritë themelore që mbrohen me Kushtetutë, mund të bëhet vetëm pas shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme sipas kësaj Kushtetute dhe vetëm deri në masën sa është e domosdoshme nën rrethanat e dhëna.

 

Lexo edhe

error: