Lajme   Biznes   Sport   Covid-19   Video   Kulturë   Magazina   Ngjarje

PDK paralajmëron protesta për të kundërshtuar Qeverinë Kurti

PDK paralajmëron protesta për të kundërshtuar Qeverinë Kurti

Partia Demokratike e Kosovës do të përdorë të gjitha mjetet demokratike, përfshirë edhe protestat, për të kundërshtuar Qeverinë Kurti. E gjithë kjo për të mbrojtur interesin qytetar nëse ai cenohet nga ekzekutivi i ri. Partia më e madhe opozitare kritikon kryeministrin Albin Kurti edhe për vonesat në hartimin e programit qeverisës. Ndërkohë, kërkojnë që Ligji për konfiskimin e pasurisë së paligjshme mos të përdoret për hakmarrje politike. Derisa, vazhdojnë ta quajnë përçarëse presidenten, Vjosa Osmani.

Anëtari i kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi thotë për KosovaPress se Qeveria Kurti në këto tri javë ka dhënë shenja të paaftësisë në qeverisje.

“Janë mjete demokratike, por asnjëherë duke e dëmtuar shtetin e Kosovës. Të gjitha mjetet që janë të lejueshme, përfshirë edhe protesta, është pjesë e jetës qytetare dhe reagimit qytetar. Si e tillë do të përdorim të gjitha mjetet për ta mbrojtur interesin qytetar. Sidomos kur cenohet sovraniteti, funksionimi i shtetit, demokracia dhe integriteti qytetarë ne do të jemi në ballë të mbrojtjes së tyre”, deklaron Gjoshi.

Sipas tij, mungesa e programit qeverisës dy muaj pas zgjedhjeve të 14 shkurtit tregon se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka çka t’ju ofrojë qytetarëve.

“Mungesa e programit tregon se ata janë njerëz pa përvojë politike dhe tregon që nuk kanë pasur ndonjë ndjesi për interesin e qytetarëve. Ata me një politikë kanë arritur tek fitimi i rezultatit zgjedhor duke realizuar pakënaqësinë qytetare, por nuk kanë pasur një ofertë të mirë për qytetarët dhe ajo që e kemi thënë gjatë fushatës zgjedhore po argumentohet edhe sot. Edhe pse ka dy muaj që ka përfunduar procesi zgjedhor ata ende nuk ia kanë ofruar qytetarëve të Kosovës një vizion se si do të qeverisin në këtë vend. Edhe për kaq ditë që kanë qeverisë kanë dhënë shenja të paaftësisë dhe mungesës së përvojës qeverisëse”, vijoi ai.

Lidhur me miratimin e koncept-dokumentit për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, Gjoshi kërkon që të ruhet pavarësia e gjyqësorit dhe prokurorisë në mënyrë që mos të kalohet në arbitraritet politik.


“Të ruhet pavarësia e gjyqësorit, prokurorisë dhe funksionimi i institucioneve për ndarje të pushteteve për të mos kaluar në arbitraritet. Besoj që kjo është në fillimet e saja dhe gjatë kohës deputetët tanë do të kenë kohë të japin kontributin e tyre për të qenë konform standardeve evropiane dhe mos të përdorët për hakmarrje politike dhe mbylljen e gojës opozitës, shoqërisë civile dhe mediave”, thotë Gjoshi.

Sekretari organizativ i PDK-së duke kritikuar ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla për fjalimin e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, thotë së në Qeverisjen Kurti ka degradim në drejtimin e institucioneve.

“Kosova ka degradim në drejtuesit e institucioneve. Zonja Gërvalla është e papërvojë në aspektin e diplomacisë, kjo u dëshmua edhe në Këshillin e Sigurimit. Është e turpshme paraqitje e saj, gjuha e saj e njëjtë me gjuhën e ministrave që e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës, që Kosova një shtet i dështuar ku nuk ka rend dhe ligj dhe i korruptuar. Madje edhe kur u kritikua bërthama e lirisë së Kosovës, lufta e UÇK-së dhe ish-presidenti i vendit dhe drejtues të tjerë ku u quajtën si kriminelë nga ministrat serbë, ajo nuk pati asnjë reagim ndaj mbrojtjes së lirisë. Kjo tregon se ajo është një inaçore politike”, thotë ai.

Krahas këtyre, Gjoshi vazhdon ta kritikojë presidenten Vjosa Osmani, duke konsideruar se ajo nuk është personi i duhur për të qenë në pozitën e të parës së shtetit.

“Ajo (Vjosa Osmani) më së paku është personi i duhur për atë pozicion. Pozicioni i presidentit është që i bashkon njerëzit dhe jo i ndanë. Krejt jetën e saj ka përçarë, duke filluar edhe shtëpinë e vet. Ne të gjithë e dimë se ajo ka qenë kundër edhe atyre që e kanë ngritur në karrierë. E ka shkatërruar edhe partinë e vet politike dhe ne nuk kemi pritur më shumë. I ka përçarë edhe qytetarët e Kosovës me deklaratat e saja nxitëse. Në gjithë karrierën e saj ka folur më shumë kundër Hashim Thaçit se ndaj Sllobodan Millosheviqit. Si e tillë ka ardhur deri tek ky pozicion, nuk është që kemi pritje më të mira ndaj saj. Krejt çka kërkojmë është që të respektojë Kushtetutën dhe mos ta përdorë pozicionin e presidentit për t’i shërbyer një partie politike”, thotë ai.

Partia Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurtit është renditur e dyta dhe është partia më e madhe opozitare në Kuvendin Kosovës.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: