PDK paralajmëron padi për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë Elektrike

Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar padi për bordin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike. Kjo parti po bën thirrje që të zbatohet vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë për pezullimin e tarifave për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Po ashtu, shefi i deputetëve të PDK-së ka deklaruar se vendimi i gjyqësorit ka hyrë në fuqi dhe se janë të pavërteta deklarimet e ZRrE-së se një gjë e tillë nuk ka ndodhur pasi që do e ankimojnë vendimin.

Në një konferencë për media, Abelard Tahiri i ka bërë thirrje edhe kryeministrit Kurti e presidentes Osmani që të mos insistojnë në rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

“I bëj thirrje Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për pezullimin e tarifave për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Përndryshe, në rast të mos zbatimit të këtij vendimi i bëjë thirrje Prokurorisë Speciale dhe ne do të angazhohemi po ashtu që të bëjmë padi penale për bordin e ZRrE-së, sepse mosrespektimi i këtij vendimi është direkt vepër penale. Dhe këta njerëz duhet të detyrohen përmes institucioneve tona që të respektojnë vendimet e gjyqësorit në vendin tonë”, ka deklaruar ai. 

Më tej, Tahiri i ka quajtur të pavërteta deklarimet e ZRrE-së se vendimi i gjyqësorit nuk ka hyrë ende në fuqi.


“Deklarimet e tyre që pezullimi i vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike për ngritjen e tarifave nuk ka hyrë në fuqi për shkak se do ta anikimojmë vendimin, është i pavërtetë. Vendimi ka hyrë në fuqi në ditën kur është publikuar dhe në ditën kur e kemi marrë edhe ne edhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike. Baza ligjore në të cilën ZRrE thirret që ky vendim nuk ka hyrë në fuqi është e paqëndrueshme. Andaj, vendimi i Gjykatës Themelore, Departamentit Administrativ është jashtëzakonisht i qartë”, ka theksuar ai.

Derisa theksoi se rritja e çmimit të energjisë elektrike për qytetarët është e papërballueshme, Tahiri tha se vendimi ka hyrë në fuqi dhe të njëjtit nuk duhet të paguajnë me rritje.

“Pra, ky vendim ka hyrë në fuqi dhe qytetarët e Kosovës nuk duhet të paguajnë tarifa të energjisë elektrike me rritje për këtë muaj, përderisa nuk kemi një vendim tjetër të shkallës së dytë të Apelit. Ata edhe mund ta apelojnë vendimin, gjë që ne ju bëjmë thirrje që të mos e apelojnë, ta lënë në fuqi këtë vendim sepse është në interes të qytetarëve të Kosovës”, ka shtuar Tahiri.

Ditë më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që të pezullojë përkohësisht ekzekutimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtim të energjisë elektrike. Një vendim i tillë ka ardhur pas padisë së Partisë Demokratike të Kosovës.

Lexo edhe

Video