PDK në Prishtinë kërkon zbatimin e vendimit për lirimin e qytetarëve nga pagesa në Trafikun Urban

PDK në Prishtinë kërkon zbatimin e vendimit për lirimin e qytetarëve nga pagesa në Trafikun Urban

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prishtinë, ka kërkuar të zbatohet vendimi i Kuvendit Komunal të Prishtinës për lirimin e qytetarëve nga pagesa e transportit publik për katër muajt e ardhshëm.

Asambleisti i PDK-së në komunën e Prishtinës, Leutrim Retkoceri, në një konferencë për media, ka thënë se nga data 11 nëntor propozimi i PDK-së është vendim, pasi u votua nga shumica e asambleistëve dhe si i tillë duhet zbatohet nga kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, pasi e obligon neni 12 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale.

“Të gjithë qytetarët e Prishtinës, të moshuarit, nënat, fëmijët, të rriturit dhe të gjitha kategoritë tjera që përdorin trafikun urban lirohen nga pagesa. Presim nga kryetari i komunës që sa më shpejtë të realizoj vendimin që është marrë ne kuvendin komunal të Prishtinës…Në këtë çast që po flasim, komuna ka të pashpenzuar 60 % të buxhetit të saj. Pra, ky është argument i mjaftueshëm që të largohen qytetarët nga pagesa në Trafikun Urban dhe koston e qytetarëve ta subvencionoj komuna e Prishtinës përmes buxhetit që nuk e ka shpenzuar.”, ka thënë Retkoceri.


Ndërsa, nënkryetari i PDK-së në Prishtinë, Ilirik Musliu shprehu shqetësimin për nivelin e lartë të ndotjes së ajrit në kryeqytet, marrë parasysh edhe rrezikun që u kanoset qytetarëve nga virusi Covid-19.

“Këtë vit gjendja është edhe me e rëndë për shkak të përhapjes së pandemisë Covid-19, pasi personat me sëmundje kronike, të mushkërive dhe të zemrës janë me të rrezikuar nga ky virus. Duke qenë të shqetësuar me këtë situatë, në fillim të këtij muaji ne propozuam ofrimin e transportit publik, falas nga muaji nëntor deri në muajin mars për qytetarët që udhëtojnë në Prishtinë, gjë që do të ndikojë në uljen e qarkullimit të veturave dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit. Kjo masë do të vlejë për të gjitha linjat dhe për të gjithë qytetarët pa përjashtim duke i nxitur ata ta shfrytëzojnë transportin publik dhe jo veturat private”, ka thënë Musliu.

Propozimi për lirimin e qytetarëve nga pagesa në Trafikun Urban i paraqitur nga asamblisti i PDK-së në Prishtinë, Leutrim Retkoceri në seancën e Kuvendit Komunal më 11 nëntor u aprovua nga asamblistët me 22 vota për, 7 kundër dhe një abstenim.

PDK në Prishtinë konsideron se zbatimi i këtij vendimi shkarkon trafikun brenda qytetit, mbron ambientin nga ndotja dhe kursen paratë e qytetarëve.

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: