Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar nga Qeveria që të ndajë 100 milionë euro për ushtrinë, kjo pas agresionit rus në Ukrainë.
Anëtarja e Kryesisë së PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj në konferencën për medie u shpreh se invazioni rus në Ukrainë po eskalon në përmasa të mëdha e që mund të ketë ndikim në zhvillimet politike edhe në rajon.
Ajo ka theksuar se dyfishimi i buxhetit për ushtrinë është i rëndësishëm në mënyrë që ushtria e Kosovës të mund të kontribuojë për ruajtën e paqes së sigurisë në vend, në rajon por edhe më gjerë.
“Në mënyrë që ushtria jonë të jetë e gatshme që t’i kontribuojë ruajtës dhe paqes së sigurisë në vendin tonë, në rajon por edhe më gjerë, dyfishimi i buxhetit për ushtrinë për këtë vit është ndër hapat më të rëndësishmet që kontribuojnë në këtë drejtim. Rruga e Kosovës është shumë e qartë dhe aspiratat tona për anëtarësim në NATO kanë edhe implikime buxhetore, kërkojmë që për çdo vit buxheti i shteti që ndahet për ushtrinë tonë të kap minimum vlerën e 2 % të GDP-së apo bruto produktit vendor konform vendimit të ministrave të mbrojtjes së NATO-s që është marrë në qershor të vitit 2006”, tha ajo.