PDK kërkon nga Bislimi të raportojë në Kuvend për dialogun, aplikimin në KiE e quan meritë të të gjithë qeverive

Partia Demokratike e Kosovës kërkon nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi të raportojë në Kuvend, lidhur me dialogun me Serbinë dhe takimin e djeshëm në Bruksel. Megjithëse nuk pati marrëveshje për targat dhe as për energjinë, në partinë opozitare kërkojnë më shumë transparencë dhe qartësi për diskutimet me palën serbe.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, thotë për KosovaPress se kryeministri Kurti dhe vartësi i tij në dialog nuk e respektojnë rezolutën që sa ishin në opozitë e kishin miratuar, për raportim në Kuvend para dhe pas çdo takimi me Serbinë.

“Zëvendëskryeministri është dashur që të vijë të raportojë para udhëtimit në Bruksel dhe do të duhej të vijë të raportojë pas takimit në Bruksel. Mirëpo këto nuk kanë ndodhur asnjëherë që nga dita kur Bislimi e ka këtë detyrë… Zëvendëskryeministri bënë vizita mjaft të shpeshta dhe nuk kemi asnjëherë asnjë informatë zyrtare dhe raportim zyrtar për atë çfarë është biseduar, përveç ato të cilat i shohim në rrjete sociale të zëvendëskryeministrit. Rezoluta duhet të respektohet dhe duhet të përmbushin obligimin ligjor që e kanë për të njoftuar Kuvendin se për çka po flitet dhe zhvillohet në dialog”, thotë ajo.

Deputetja opozitare kritikon ekzekutivin se ka rikthyer dialogun në nivel teknik dhe se nuk po flitet për marrëveshje finale.

“Ka mungesë transparence që nga dita e parë. Ne po e shohim që është një dialog krejtësisht teknik, nuk kemi një dialog që flitet për marrëveshje finale, është shumë me rëndësi që të dimë kohën kur dialogu përfundon, cilat janë qëllimet, për çka qëndrojmë ne si shtet”, shton ajo.


Musliu-Shoshi për KosovaPress flet edhe për aplikimin e Kosovës në Këshill të Evropës, për çka thotë se është meritë e gjitha qeverive.

“Është një hap i mirë i shtetit tonë, është meritë e të gjithë qeverive sepse të gjitha ligjet dhe çdo hap që e kemi marrë si institucione ka qenë në hap dhe linjë me standardet evropiane. E ënjtja ka qenë një ditë e jashtëzakonshme për të gjithë ne, shpresojmë se qeveria veçse e ka përfunduar çështjen e lobimit dhe ne si shtet do të arrijmë të jemi në agjendë ne mbledhjen e radhës ku do të diskutohet nga ministrat e Punëve të Jashtme. Sidoqoftë është shqetësuese nëse ne nuk jemi pjesë formale e agjendës, por mbesim vetëm pjesë joformale e agjendës së këtij takimi. Pasi nëse nuk jemi pjesë e agjendës formale, kjo do të thotë se ne nuk do të kemi mundësi që të fillojnë procedurat për anëtarësim deri vitin e ardhshëm, kur është mbledhja e radhës së Komitetit të Ministrave. Pasi ju e dini se mbledhjet e tilla mbahen vetëm një herë në vit dhe jo gjithmonë nuk e kemi mundësinë si shtet që të dorëzojmë mundësinë për aplikim”, deklaron ajo.

Megjithatë, ajo kërkon nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe krerët e shtetit lobim për anëtarësim të plotë në KiE.

Veç tjerash ajo thotë se kryediplomatja është dashur të konsultohet edhe me Kuvendin për aplikim në këtë organizatë ndërkombëtare.

“Është dashur të kemi një konsultë paraprake se pse kur shkojmë ne në Asamble të Këshillit kemi takime të komisioneve, janë dy sesione të rregullta që mbahen, takojmë delegacione, presidentin e asamblesë, takojmë edhe delegacione të shteteve që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës. Rrjedhimisht si deputet e kemi një mundësi të jashtëzakonshme të lobimit që patjetër në këtë fushë na duhen edhe direktivat e ministrisë”, përfundon ajo.

Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër ndërqeveritare në Evropë që për qëllim kryesor ka sigurimin e bashkëpunimit dhe unitetit ndërmjet anëtarëve të saj në lëmine e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Të enjten, Kosova dorëzoi zyrtarisht aplikacionin për anëtarësim në këtë organizatë.  

Lexo edhe

Video