PDK kërkon miratimin e ligjit antiCOVID-19

PDK kërkon miratimin e ligjit antiCOVID-19

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për keq menaxhim të situatës me pandemi, duke kërkuar që sa më parë të miratohet ligji antiCOVID-19 në kohën kur vendi po përballet me shtim të dukshëm të vdekjeve dhe infeksioneve të reja.

Deputeti Bekim Haxhiu tha se situata me koronavirus është shumë e rëndë, ku  vetëm brenda 48 orëve të fundit janë regjistruar 330 raste pozitive dhe 17 me përfundim fatal.

Ai tha se situata e krijuar në vend është përgjegjësi e Qeverisë dhe Kuvendit që të veprohet më shpejt për votimin e ligjit antiCOVID-19, e për të cilin tha se PDK do ta mbështesë.

Deputeti i PDK-së tha se gabimet e ish-Qeverisë Kurti në menaxhimin e pandemisë po vazhdojnë edhe nga Qeveria Hoti. Ai tha se nuk janë dëgjuar thirrjet e përsëritura të PDK-së që nga fillimi që të rritet numri i testimeve në nivel vendi dhe të decentralizohet edhe në komuna.

Haxhiu tha se ka mungesë të madhe të transparencës dhe të informatave për situatën, ku tha se kjo po vazhdon si në ish qeverinë Kurti dhe të ish-ministrit Vitia.


Ai tha se krejt çka mësojnë qytetarët në fund të ditës janë numri i vdekjeve, i të infektuarve dhe të shëruarve. Por, sipas tij, mungojnë informata të tjera bazike mbi natyrën e sëmundjes te të sëmurët, rrethanat e infektimit dhe cilat janë momentalisht vatrat më të mëdha të infektimit në Kosovë.

Haxhiu tha se Kosova ka hyrë në fazën e hapjes pa rritje të kapaciteteve të reja, pa planifikim të mirë të decentralizimit të trajtimit të rasteve në komuna, të përfshirjes në një plan edhe të spitaleve private, dhe mbi të gjitha, mobilizimit të kapaciteteve njerëzore dhe pajisjeve të nevojshme mjekësore.

Haxhiu derisa ka bërë thirrje që të votohet ligji antiCOVID-19, tha se vonesa e miratimit të këtij ligji ka ndodhur nga partnerët e koalicionit dhe problemeve të brendshme të LDK-së.

 

 

Lexo edhe

Video