PDK jep detaje të takimit me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj

PDK jep detaje të takimit me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj

Partia Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media ka dhënë detaje pas takimit që kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, ka pasur me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka përgëzuar Presidentin Begaj për hapjen zyrtare të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke shprehur besim se ky vendim i BE-së, pas shumë vonesave, ka kthyer vëmendjen kah Ballkani Perëndimor.

Presidenti Begaj nga ana e tij ka vlerësuar lart angazhimin shtetformues e shtetndërtues të PDK-së, të liderëve të saj si dhe gatishmërinë e tij dhe të Republikës së Shqipërisë për proceset jetike të Kosovës me qëllim të fuqizimit të shtetësisë, demokracisë dhe proceseve integruese euro-atlantike.


Gjithashtu, bëhet e ditur se Krasniqi ka falënderuar presidentin Begaj për mbështetjen që Shqipëria po jep për dy liderët tanë historikë, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli dhe bashkëluftëtarët e tyre, që nga shkuarja e tyre në Hagë.

Lideri i PDK-së ka falënderuar shtetin shqiptar për adresimin në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, me kërkesë për të rishikuar rezolutën e KE-së për raportin e ish-senatorit Dick Marty.

Gjatë takimit me Presidentin Begaj, Krasniqi tha se PDK si parti shtetformuese dhe shtetndërtuese, është duke punuar për të ndërtuar një vizion të ri për të ardhmen e vendit tonë, gjithmonë në aleancë të ngushtë më shtetin shqiptar dhe aleatët nga SHBA dhe vendet e BE-së.

Gjatë vizitës në Prishtinë, Begaj ka thënë se Shqipëria e mbështet fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.