PDK-ja mbështet kërkesën e Thaçit për gjendje të jashtëzakonshme, kritikon Qeverinë

PDK-ja mbështet kërkesën e Thaçit për gjendje të jashtëzakonshme, kritikon Qeverinë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të mbështesë kërkesën e presidentit Hashim Thaçi, për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në vend si pasojë e virusit COVID-19.

Kryetari i PDK-së Kadri Veseli, në një konferencë për media tha se pas përhapjes së pandemisë edhe në Kosovë është krijuar gjendja e jashtëzakonshme, pavarësisht nëse shpallet apo jo.

Për këtë ai tha se mjafton të shohësh fshatrat dhe qytetet, mbylljen e shkollave, ndaljen e prodhimit, mbylljen e veprimtarive të shërbimit dhe shumicën aktiviteteve tjera socio ekonomike.

Veseli tha se dëmi akut është shëndetësor, por dhe socio-ekonomik dhe sipas tij, ky dëm mund të lokalizohet dhe kontrollohet nëse veprohet  mençur dhe janë të vendosur si shtet dhe shoqëri. Në të kundërtën, ai tha se pasojat do të jenë më të rënda.

“Meqenëse në Kosovë numri i të prekurve me virusin COVID-19 po rritet, masat ekstreme janë të domosdoshme. Duhet të veprojmë, sa nuk është bërë vonë. Për qytetarët, për ekonominë, për të ardhmen dhe shtetin tonë. Jemi në një situatë kur banorët e Vitisë, Klinës dhe të Malishevës janë të izoluar në karantinë, përderisa edhe ne Podujeve dhe kryeqendrën tonë kemi te prekur, por kujdesi dhe ndihma e qeverisë për këto komuna nuk është ai i duhuri dhe mbështetja nuk është e mjaftueshme. Rrjedhimisht, përballimi i tyre me këtë gjendje është i vështirë. A ka dikush iluzione se kjo situatë, me përhapjen e virusit, nuk përshkallëzohet, nëse nuk merren masat ekstreme? Është në dorën e deputetëve që të vendosin për ta kaluar dekretin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Por, edhe vetëm një jetë nëse shpëtohet, ia vlen një vendim i tillë, nuk është koha për protagonizëm politik. Prandaj, PDK do ta mbështet idenë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në tërë vendin”, tha ai.

Kreu i PDK-së tha se masat që Qeveria ka marrë deri tash nuk kanë qenë të mjaftueshme, madje ai tha se janë të shqetësuar me rolin e qeverisë në këtë situatë, pasi sipas tij Qeveria me paaftësinë e saj menaxhuese dhe nënvlerësimin mund ta përkeqësojnë më tutje gjendjen për qytetarët.

“Mos-kontrolli i rreptë i të gjithë atyre që vijnë nga vendet e prekura nga Virusi COVID-19, është gabim fatal. Neglizhenca e Qeverisë për të vepruar menjëherë për vendosjen e tyre në karantinë  përbën rrezik të madh për qytetarë tanë. Mos-aplikimi i testeve agresive, për t’i identifikuar të prekurit me virus të ardhur nga vendet me rrezik të lartë, e që do të ndikonte në parandalimin e përhapjes së virusit, është tregues i menaxhimit të keq që po i bëhet kësaj çështjeje”, tha Veseli.


Ai tha se përveç shqetësimit për shëndetin publik, tashmë qytetarët kanë filluar të kenë edhe shqetësime të tjera. Sipas Veselit, brengat e ekonomisë dhe bizneseve të vendit janë duke u injoruar nga kjo Qeveri, ku tha se bizneset nuk duhet lënë pa ide dhe vendimmarrje përkrahëse për ta.

Veseli potencoi se në këto momente sektori më i rrezikuar është sektori privat,  pasi sipas tij në mungesë të lëvizjes njerëzore dhe mallrave, bizneset private rrezikojnë që të kenë mungesë të qarkullimit në këtë fazë, duke rrezikuar qindra mijëra vende të punës. Ai tha se po rrezikojnë edhe furnizimin.

Për këto arsye, ai tha se është e domosdoshme që Qeveria të ofrojë një program stimulues financiar për sektorin privat.

“Është e domosdoshme që Qeveria e Kosovës të ofrojë një program stimulues financiar për sektorin privat. Për t’u siguruar dhe garantuar se qytetarët e Kosovës nuk do t’i humbin vendet e punës, dhe mbi të gjitha që në fund të muajit të kenë pagën e tyre. Gjithashtu masat e propozuara për sektorin bankar nga Qeveria e Kosovës janë të pamjaftueshme, duke dëmtuar rënd qytetarin, biznesin, por edhe vetë bankat komerciale. Bankat duhet të ofrojnë ri-programim të kthimit të kredisë për të gjithë qytetarët dhe bizneset. Qeveria, së bashku me Bankën Qendrore dhe bankat komerciale, duhet të ofrojnë një hapësirë më të madhe sigurie, sidomos për sektorin privat. Është me rëndësi që Ministria e Financave të bëjë pagesat për të gjithë operatorët ekonomikë që janë të kontraktuar, për të siguruar që ekonomia jonë vazhdon të stimulohet”, tha kreu i PDK-së.

I pari i PDK-së Kadri Veseli, tha se është edhe një situatë tjetër që kërkon vëmendjen në këtë fazë, e që sipas tij është largimi i investitorëve amerikanë nga Republika e Kosovës.

Ai tha se ndalja e programeve investuese në Republikën e Kosovës nga qeveria amerikane nga protagonizmi i antiamerikanizmit të kësaj Qeveria është vërtet duke e dëmtuar dhe rrezikuar Kosovën, po aq sa koronavirusi.

 

Lexo edhe

error: