PDK dhe AAK këmbëngulin për Trustin

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po këmbëngulin për miratimin e Projektligjit për Trustin. Sipas tyre, tërheqja e një shume të kursimeve pensionale është nevojë emergjente e qytetarëve.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se deputetët e mazhorancës duhet të reflektojnë për miratimin e Projektligjit për Trustin.

“Secili deputet e ka mandatin e vet të lirë dhe duhet të reflektojë dhe mendojë për një çështje kaq të rëndësishme për qytetarët e Kosovës. Kjo iniciativë e PDK-së nuk ka ardhur thjesht si iniciativë politike për të bërë debat, por si rezultat i kërkesës së qytetarëve të Kosovës që t’iu krijohet mundësia që të bëjnë tërheqjen e një shume të caktuar  të kursimeve të tyre që janë në Trust. Besoj se do të ketë një reflektim nga deputetët e mazhorancës dhe kjo iniciativë të kalojë. Sa i përket përqindjes ne jemi të hapur dhe kemi thënë edhe më herët që të kemi një dakordim edhe me mazhorancën se në çfarë mase duhet të shkojë tërheqja e këtyre mjeteve”, tha ai.

Në linjë të njëjtë u shpreh edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

“Kërkesa në kryesi është shumë e qartë, silleni ligjin për trustin sa më shpejtë në seancë plenare. Tashmë deputetët e shumicës e dinë, e kuptojnë sa e rëndësishme është që kontribut-dhënësit, të punësuarit që i kanë paratë e tyre në këtë krizë t’i tërheqin përmes këtij ligji”, shtoi Tahiri.

Ndërkohë, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila bëri të ditur se seanca plenare e radhës do të mbahet të enjten më 19 maj.


Mungesën e Projektligjit për trustin në këtë seancë nuk e përmendi, por tha se do të debatohet për gjendjen e sigurisë në vend dhe një sërë pikash të tjera.

Krahas kësaj, ajo tha se Kuvendi inicioi edhe formimin e grupit punues për reformën zgjedhore, për çka përmendi disa nga kërkesat që duhet të adresohen.

“Janë kërkesa të akumuluara ndër vite. Ju e dini që disa herë janë bërë përpjekje për të hyrë në procesin e reformës zgjedhore, mirëpo për shkak të zgjedhjeve në nivelin qendror apo zgjedhjeve të rregullta që kemi pas në nivelin lokal janë shtyrë. Tash janë disa pika që janë diskutuar, fillimisht në deklaratën e përbashkët të grupeve parlamentare së bashku me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca. Do të shohim kur të fillon puna që të merren të gjitha komentet në trajtim sa i përket proceseve zgjedhore dhe natyrisht rekomandimet që i shohim të nevojshme për t’u përfshirë… Nuk është vetëm çështja për votimin e diasporës, por është një prej çështjeve edhe ajo. Mundësia dhe përkushtimi ynë që të lehtësojmë votimin e shtetasve tanë që janë me vendqëndrim jashtë vendit. Por, gjithashtu janë edhe disa çështje të tjera që lidhen me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në përgjithësi”, theksoi ajo.

Në kuadër të reformës zgjedhore, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se duhet të trajtohen edhe disa tema të mëdha, siç është mënyra e zgjedhjes së presidentit.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka një qëndrim më të avancuar, jo trajtimin e vetëm problemeve teknike, por edhe temave të mëdha. Tema e parë është a duhet presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt apo sistemin që e kemi, tema e dytë a duhet të jetë Kosova një zonë apo shumë zona, tema e tretë, procesi i numërimit të votave se a duhet të numërohet në klasë apo qendër të vendvotimit”, deklaroi ai.

Në rend të ditës në seancën e së enjtes pritet të jenë edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për turizmin, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për policinë ushtarake në Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për Komisionerin Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Lexo edhe

Video