PDK akuzon ekzekutivin për dështim të vitit të ri shkollor

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kritikuar Qeverinë Kurti se po dështon fillimin e vitit të ri shkollor, si pasojë e keq menaxhimit të situatës me pandeminë dhe mungesën e një plani konkret të veprimit.

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Muzafer Shala në një konferencë për medie, tha se Ministria e Arsimit duhet të shikojë mundësitë për mësim online, pasi siç tha po rrezikohet humbja edhe e këtij viti shkollor.

“Për shkak të keq menaxhimit të pandemisë nga ana e qeverisë aktuale, fëmijët janë në shtëpi, ndërsa shkollat janë të mbyllura dhe nuk ka asnjë plan konkret kur dhe si do të hapen në këtë periudhë tragjike, ku dhjetëra qytetarë po vdesin çdo ditë në mungesë të vaksinave. Tash e gjashtë muaj ministrja e Arsimit nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për të punuar në krijimin e kushteve për fillimin e vitit të ri shkollor. E njëjta qeveri ka qenë në pushtet edhe vitin e kaluar kur filloi pandemia dhe sot mund të konstatojmë pa asnjë dilemë se kemi humbur një vit shkollor për nxënësit e Kosovës dhe tani po rrezikojmë ta humbim edhe një vit tjetër”, tha Shala.


Shala e quajti ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci të paaftë për të menaxhuar arsimin në vend, derisa i bëri kërkesë që të fokusohet në mësimin online.

“Me të gjitha këto parakushte dhe me mundësinë qe e ofron Google përmes platformës ‘Bazat e Edukimit’ e që është falas, Ministrja Arbërie Nagavci dhe kabineti i saj janë treguar të paaftë për të menaxhuar me arsimin. I bëjmë thirrje Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë së Kosovës që të sigurojnë mbarëvajtje të mësimit online për nxënësit e Kosovës deri në sigurimin e vaksinave të munguara për qytetarët. Nxënësit nuk duhet të humbin më shumë sepse edhe ashtu janë dëmtuar tepër shumë vitin e kaluar me një organizim të dobët të procesit mësimor.”, theksoi Shala.

Sipas tij, MASHTInuk guxon t’i lë jashtë koordinimit mësimdhënësit e Kosovës, por duhet të sigurojë cilësi të mirëfilltë të mësimit online, i cili duhet të përfshijë trajnimin e vazhdueshëm të mësimdhënësve për mësim online, pajisjen e nxënësve në nevojë me pajisje teknologjike dhe digjitalizim të literaturës shkollore.

Lexo edhe

Video

error: