Patozi: Shqipëria do shkojë në zgjedhje normale në vitin 2021

Patozi: Shqipëria do shkojë në zgjedhje normale në vitin 2021

Kryetari i Partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi tha sot se shanset për zgjedhje të parakohshme në Shqipëri janë zero. Sipas tij, zgjedhjet do jenë normale në qershor të vitit 2021.

Duke folur për Reformën Zgjedhore, kryetari i BD-së, Astrit Patozi e konsideroi lajm të mirë uljen e palëve politike në tryezë, por shpreh mosbesim për rezultatin që pritet të dalë nga reforma.

“Fakti që partitë kryesore janë ulur në tryezë për reformën zgjedhore, është lajm i mirë. Lajm i keq është që sipas të gjitha gjasave nuk do të ketë një produkt pozitiv, pra nuk do të prodhojë një rezultat që do të ndryshojë rendin e gjërave në Shqipëri dhe sidomos mënyrën se si shqiptarët votojnë. Dhe kjo besoj ruajtja e statuskuosë që duket një qëllim i 2 partive kryesore është ogur i keq për zgjidhjen e krizës por sidomos për rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme” tha ai.


Në lidhje me zgjedhjet e parakohshme që pretendon opozita, Patozi theksoi se shanset janë zero, zgjedhjet do jenë normale vitin tjetër.

“E rëndësishme është që Shqipëria të shkojë në zgjedhje të parakohshme, por gjasat janë zero. Dhe më e keqja është se unë nuk shoh asnjë lloj vendosmërie nga PD, që t’i dëshirojë zgjedhjet. Zgjedhje të parakohshme të vetëm njërës palë nuk mund të ketë dhe unë them se ne do të shkojmë në vitin 2021 në zgjedhje normale. Jemi të mendimit se Shqipëria do shkojë në zgjedhje normale dhe pa ndryshime thelbësore në atë që quhet reforma elektorale në Shqipëri”, shprehet ai.

Në lidhje me qëndrimin e një pjesë të opozitës dhe liderit Basha, Patozi tha “në rast se një udhëheqës politik përpiqet të kuptojë atë që do populli është gjithmonë më mirë sa të përpiqesh të udhëheqësh një revolucion që nuk ndodh asnjëherë”./ATSH/

Lexo edhe

Video