Pasuesi i Boris Johnson, Rishi Sunak kryeson raundin e parë të votimit

Pasuesi i Boris Johnson, Rishi Sunak kryeson raundin e parë të votimit

Gjashtë kandidatë, përfshirë ish-ministrin e Financave Rishi Sunak, janë tani në garë për të zëvendësuar Boris Johnson si kreun e Partisë Konservatore. Votimi do të vazhdojë javën e ardhshme derisa të mbeten vetëm dy.

Përpos Sunak, në garë mbeten edhe Penny Mordaunt, Liz Truss, Kemi Badenoch, Tom Tugendhat dhe Suella Braverman.

Ligjvënësit konservatorë në Parlamentin Britanik hodhën votat e tyre në raundin e parë të mërkurën për të zgjedhur një kandidat të mundshëm për të zëvendësuar kryeministrin në largim Boris Johnson si kreun e partisë dhe kështu udhëheqësin e vendit.

Ish-ministri i Financave Rishi Sunak kryeson pesë kandidatët e tjerë që kaluan raundin e parë të votimit. Ministri i Financave Nadhim Zahawi dhe ish-ministri i kabinetit Jeremy Hunt u eliminuan nga gara.


Grupi fillestar prej 11 kandidatësh tashmë u zvogëlua në tetë të martën pasi disa nuk arritën të merrnin mbështetjen e mjaftueshme parlamentare për të vazhduar fushatat e tyre.

Çdo raund do të eliminojë kandidatët me mbështetjen më të vogël derisa të mbeten vetëm dy, në të cilën pikë anëtarët e partisë bazë do të zgjedhin fituesin përfundimtar. Në praktikë, disa ligjvënës shpesh tërheqin kandidaturën e tyre, duke përshpejtuar procesin.

Secilit kandidat i duhen të paktën 30 vota nga 358 ligjvënës konservatorë në Parlament për të kaluar në raundin tjetër.

Pasardhësi i Johnson pritet të shpallet më 5 shtator.

Lexo edhe

Video