Pas takimit me Ramën dhe Dukën flet Ceferin: Kjo situatë nuk i ndihmon futbollit shqiptar

Pas takimit me Ramën dhe Dukën flet Ceferin: Kjo situatë nuk i ndihmon futbollit shqiptar

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka pritur sot në Tiranë për një vizitë zyrtare presidentin e UEFA-s Alexander Ceferin, ku temë diskutimi ishin incidentet e fundit lidhur me procesin zgjedhor të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF)

Pas këtij takimi, presidenti i qeverisë së futbollit evropian Ceferin vazhdoi me vizita, ku u takua me presidentin e FSHF-së Armando Duka, sekretarin e përgjithshëm, Ilir Shulku dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, përcjell KosovaPress.

Pas këtyre vizitave, në një intervistë për “Associated Press”, Ceferin tregoi qëllimin e këtyre takimeve, ku u shpreh i shqetësuar me situatën e krijuar dhe me incidentet që kanë ndodhur gjatë këtij procesi zgjedhor.


“Në parim UEFA nuk ndërhyn në proceset zgjedhore, por ne duam zgjedhje të ndershme dhe nuk duam asnjë ndërhyrje nga palë të tjera. Pata gjithashtu një takim me Kryeministrin Rama sot, ne ishim të pak të shqetësuar për situatën sipas raportimeve që kemi lexuar në media”, tha Ceferin.

“Jam i kënaqur që ramë dakord me Kryeministrin, që futbolli duhet të vendosë për futbollin. UEFA do të japë të gjithë mbështetjen e saj, do të sjellë përfaqësues këtu për të verifikuar korrektesën e zgjedhjeve dhe sigurisht që të mos ketë ndërhyrje nga asnjë palë jashtë futbollit.”, shtoi më tej kreu i UEFA-s.

Gjithashtu, Ceferin tha se nëse nuk do të ketë ndërhyrje politike nuk do të rrezikohet zhvillimi i finales së parë historike të UEFA Europa Conference League në Tiranë.

Lexo edhe

Video