Pas stërvitjes së Kosovës flasin Rashica e Aliti

Pas stërvitjes së Kosovës flasin Rashica e Aliti

Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar sot stërvitjen e fundit para udhëtimit në Stokholm, para ndeshjes së ditës së shtune kundër Suedisë, e vlefshme kjo për Grupin B të fazës kualifikuese për në Botërorin “Katar 2022”.

“Dardanët” e zhvilluan këtë stërvitje në Kompleksin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) në Hajvali, nën reshjet e shiut dhe motit të ftohtë, përcjell KosovaPress.

Pas seancës stërvitore, sulmuesi i krahut Milot Rashica dhe mbrojtësi Fidan Aliti folën rreth kushteve të stërvitjes dhe rreth ndeshjes kundër Suedisë.


“Moti ishte pak i vështirë, por ne si futbollistë jemi mësuar të stërvisim edhe në këso kushte. Madje, mendoj se kjo ka qenë një përgatitje e mirë për Suedi, ngase edhe atje na pret një mot i tillë. Kësaj radhe kemi pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur për këtë ndeshje të rëndësishme për neve dhe besoj se secili prej neve është 100 përqind i gatshëm për lojë”, tha Aliti.

Në anën tjetër, Rashica u shpreh optimist që Kosova do të vazhdojë me paraqitje të mira edhe me Suedinë, njëjtë sikurse që bënë kundër Kombëtares së Spanjës.

“Gjatë gjithë javës kemi stërvitur në mënyrën më të mirë të mundshme dhe sigurisht se do të shkojmë për rezultat pozitiv. Në këtë grumbullim kemi pasur më shumë ditë në dispozicion së bashku dhe besoj që kemi pasur kohë të mjaftueshme të përgatitemi. Duke pasur parasysh lojën e mirë kundër Spanjës, ku përveç rezultatit negativ, kemi krijuar shumë raste, shpresoj se në këtë ndeshje do të arrijmë t’i përfundojmë në mënyrën më të mirë rastet që na jepen dhe do t’i gëzojmë tifozët tanë”, tha Rashica.

Kombëtarja e Kosovës niset nesër drejt Suedisë, ku edhe do ta zhvillojë stërvitjen e fundit të saj me fillim nga ora 18:00 në stadiumin “Friends Arena” të Stokholmit.

Lexo edhe

Video

error: