Pas rikthimit te Prishtina, flet Pefqeli: Do ta jap atomin e fundit për ngjyrat “bardhekaltër”

Pas rikthimit te Prishtina, flet Pefqeli: Do ta jap atomin e fundit për ngjyrat “bardhekaltër”

FC Prishtina transferoi sot mesfushorin me tipare sulmuese, Mërgim Pefqelin, ku ky i fundit nënshkroi kontratë dy vjeçare me klubin nga kryeqyteti.

Pefqeli dhe Prishtina janë dashuri e vjetër, pasi që në të kaluarën ai ka veshur fanellën “bardhekaltër” plot 75 herë, ndërsa kishte realizuar 12 gola.

Në sezonin që lamë pas, Pefqeli ishte pjesë e Malishevës, tek e cila dha kontribut të madh në sigurimin e një tjetër sezoni në Superligën e Kosovës.

Ndërkaq, pas nënshkrimit të kontratës me Prishtinën, 28 vjeçari foli për rikthimin e tij te Prishtina, ku ndër të tjera tha se kontaktet me trajnerin Ismet Munishi kanë qenë kyçe për mos ta menduar dy herë rikthimin te skuadra amë.


“Fakti që jam fëmijë i këtij klubi dhe kontaktet me trajnerin Ismet Munishi, nuk më kanë bërë që të mendoj shumë për rikthimin te skuadra amë. Bartja e fanellës së Prishtinës përveç se është privilegj dhe krenari e madhe, në vete bartë përgjegjësinë e arritjes së rezultateve kulminante, pra trofeve”, tha Pefqeli.

Më tej, ai tregoi se synimet janë që të rikthehet me klubin te titulli i kampionit dhe garat evropiane, sepse Prishtina aty e ka vendin, ndërsa për tifozët kishte një premtim të veçantë.

“Tifozëve besnik të Prishtinës, “Plisave” si gjithmonë ju premtoj angazhim maksimal dhe dhënien e atomit të fundit për ngjyrat “bardhekaltër”. Bashkë me shokët e skuadrës do të bëjmë që të mburren me sukseset tona të përbashkëta. Hajde PRISHTINË”, tha Pefqeli.

Mërgim Pefqeli gjatë karrierës së tij është aktivizuar edhe për Llapin, Trepçën ’89, Trepçën, Hajvalinë e Fushë Kosovën.

Lexo edhe

Video