Ekipi i Shoqatës Vullnetare të Zjarrfikësve “ Bajram Miftari” nga Çairi dhe zjarrfikësit e tjerë nga vendi që së bashku po vazhdojnë përpjekjet për të larguar rrënojat që la pas tërmeti, rrëfejnë për Televizionin Alsat përjetimin e jashtëzakonshëm dhe vështirësitë gjatë shpëtimit i një 38 vjeçarje që kishte qëndruar për 5 ditë nën rrënoja. Dëgjimi i një zëri gëzoi zjarrfikësit Artan Demiri, Jusuf Jakupi, Etem Arsllani dhe Sefer Demiri, të cilët për disa ditë nga ai objekt i rrënuar kishin nxjerrë vetëm trupa të pajetë. Janë dashur më shumë se 7 orë që nga dëgjimi i zërit e deri në nxjerrjen e gruas nga objekti i rrënuar.
“Si kemi qenë në atë objekt banimi duke punuar, janë dëgjuar disa zëra, në fakt Jusufi kolegu e ka dëgjuar dhe menjëherë e ka ndaluar punën e ekskavatorit dhe kanë filluar gërmimet. Dhe ajo ka zgjatur deri nga ora 9 apo 9 e 30 në mbrëmje. Ndjenja është e papërshkrueshme. Nga njëra anë është dhimbje, e nga ana tjetër gëzim. Kur e sheh një njeri që do që t’i ndihmosh, por nuk ke si t’i ndihmosh është shumë keq. Kemi hasur në vështirësi të mëdha. Në vështirësi të mëdha kemi hasur, sepse kanë qenë shumë pllaka të betonit mbi të. Faktikisht ka qenë e ngujuar në dhomën e gjumit, se bashku me bashkëshortin e saj dhe një fëmijë të moshës 7 ose 8 vjeçare. Për fat të keq ata të dy nuk kanë mbijetuar tërmetit. Kur e nxorëm nuk ishte në dijeni se çfarë po ndodh. Mrekullia e Zotit”, tha Artan Demiri- Shoqata Vullnetare e Zjarrfikësve “ Bajram Miftari”.
“Gjithçka në këtë qytet është e rrënuar. Përpiqemi tani, jemi ndarë në dy ekipe. Ekipi që qëndrojmë këtu me Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Njëri grup është duke qëndruar këtu, tjetri ndodhet në një tjetër lokacion. Situata është shumë e rënduar, e tensionuar. Të gjithë familjarët presin rreth godinave, për të marr ndonjë lajm për të afërmit e tyre”, u shpreh Avni Ameti- kryeshef i Njësitit të Zjarrfikësve të Tetovës.
Ekipe shpëtimi drejt Turqisë ka dërguar Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, komunat, Armata e Maqedonisë së Veriut, ndërsa kanë shkuar edhe vullnetarë./Alsat.mk