Partizani mposht Vllazninë dhe konsolidon kreun

Partizani mposht Vllazninë dhe konsolidon kreun

Takimi Vllaznia-Partizani, i vlefshëm për javën e 7-të të Kategorisë Superiore të Shqipërisë që u luajt në mbrëmje në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, ka qenë i 3-ti i së premtes dhe ka dhuruar spektakël.

Pjesa e parë ka folur në shumicën dërrmuese të kohës për Vllazninë, e cila ka bërë një vëllim më të madh loje, ka ndërtuar më tepër raste për shënim dhe kanë qenë vetëm përpjekjet e gardianit të portës së të kuqve kryeqytetas, Rexhepi, që nuk kanë lejuar prekjen e rrjetës së tij.

Por kjo deri në minutën e 38-të, atëherë kur Hoxhaj krijon hapësirë në zonë dhe përfiton nga një goditje këndi, duke goditur saktë me kokë dhe duke mposhtur, përtej reagimit të tij, portierin e Partizanit, raporton RTSH.


Pjesa e parë e sfidës do të mbyllet me epërsinë minimale të vendasve, të cilët do të vijojnë të ushtrojnë trysni në portën e kryeqytetasve, në kërkim të atij goli të dytë të rëndësishëm, por që nuk erdhi, sepse, përkundër rrjedhës së lojës, janë të kuqtë që do të gjejnë rrugën e rrjetës.

Hadroj ka ulur topin për Da Silvën i cili gjuan dhe gjen golin, por braziliani nuk feston përballë ish-skuadrës së tij, në respekt edhe të tifozëve.

Goli do ta kthejë rrjedhën e lojës dhe, përtej përpjekjeve dhe pretendimeve të Vllaznisë për 11-metërsh dhe karton të kuq dhe, 4 minuta para fundit, është Skuka që ndëshkon Vllazninë, duke shënuar golin që përmbys shifrat në favor të Partizanit.

Përtej përpjekjeve të shkodranëve në 4 minutat e fundit të kohës së rregullt dhe 6 minutave shtesë që ishin të ethshme, Partizani mund Vllazninë 2-1 dhe konsolidon kreun e renditjes pas 7 javësh kampionat.

Lexo edhe

Video