Partive politike pritet t’i auditohen financat për tri vjetët e fundit

Financat e partive politike do të auditohen për tri vjetët e fundit. Gjatë javës së ardhshme, auditorët e përzgjedhur nga KQZ do t’i analizojnë gjitha raportet zyrtare të partive për fushatën zgjedhore të vitit 2019 dhe 2020, ndërsa pa u audituar mbetet fushata e fundit në zgjedhjet 14 shkurtit. Krahas kësaj, në mbledhjen e sotme të KQZ-së u bë e ditur se deri më sot janë pranuar vetëm 653 aplikacione për regjistrim të votuesve nga jashtë. Ndërkohë, doli në pah edhe përçarja në ish iniciativën e Vjosa Osmanit në qytetin e Ferizajt, pasi kanë aplikuar për certifikim në KQZ, “Lista Guxo” dhe “Ne Guxojmë”.

Yll Buleshkaj nga Zyra për Regjistrim dhe  Certifikim në KQZ tha se më 13 korrik të këtij viti është bërë tërheqja e shortit, ku secilit subjekt politik i është caktuar një auditor për auditimin e financave.

“Me 13 të këtij muaji është bërë tërheqja e shortit, ku secilit subjekt politik është caktuar një auditor nga ata që kanë qenë të përzgjedhur për t’i audituar financat. Do të bëhet auditimi i raporteve për vitin 2018-2019-2020, që i bie se do të mbesin vetëm raportet gjatë fushatës së fundit do të mbesin pa u audituar, ndërsa të tjerat pritet të përfundojnë. Zyra e ka përgatitur gjitha raportet dhe i ka të gatshme që auditorët duke filluar nga java e ardhshme të kryejnë punët e tyre së bashku me partitë politike. Tjetër aktivitet është verifikimi i kandidatëve për postet publike, siç e dini kërkohet që ata mos të jenë të angazhuar politikisht në këto tri vitet e fundit. Kemi pranuar një listë të kandidatëve për auditor, nga ajo listë kemi has dy nga ta që kanë qenë të angazhuar politikisht”, tha ai.

Derisa edhe i bëri të ditur kërkesat për certifikim për të marrë pjesë në zgjedhjet e 17 tetorit të këtij viti.

“Deri sot kemi gjashtë kërkesa për certifikim, tri të parat i kemi përmendur në mbledhjen e fundit, është Lëvizja Qytetare ‘Vatra’, zotëri Kastriot Dushi për kryetar komune në Kaçanik, është Lista Guxo për kuvend komunal në Ferizaj, është iniciativa qytetare Ne Guxojmë për Kuvendin komunal në Ferizaj, është kandidati i pavarur Agim Gjeli për komunën e  Fushë Kosovës dhe Iniciativa qytetare Bashkë për Istogun që do të garojnë për kryetar komune dhe kuvend komunal. Ne kemi filluar verifikimin dhe shqyrtimet fillestare për të gjithë”, shtoi Buleshkaj.


E, pesë ditë pashapjes së mundësisë për regjistrimin e diasporës për të votuar në zgjedhjet lokale, vetëm 653 persona janë pranuar si votues potencial të zgjedhjeve lokale.

Kryeshefi i sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj tha se 76 përqind e aplikacioneve janë nga shteti i Gjermanisë dhe Zvicrës

“Nga raporti qe kemi që përfshinë prej 10 korrik, ditën kur ka filluar edhe operacioni përmes postës, regjistrimin apo periudha e aplikimit të votuesve jashtë vendit. Raporti është i orës 21:30 të ditës së djeshme, deri këto momente kanë qenë 699 aplikacione për regjistrim. Të gjitha aplikacionet janë pranuar përmes e-mailit, prej tyre 653 aplikacione janë pranuar”, u shpreh ai.

Lidhur me votimin nga jashtë, anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani tha se e-mailit për regjistrim duhet t’i dërgohet të gjithë atyre që kanë aplikuar në zgjedhjet e fundit parlamentare.

“E-maili me informata dhe materiale t’i dërgohet të gjithë aplikuesve, pavarësisht që kanë qenë të pasuksesshëm gjatë zgjedhjeve të fundit. Meqenëse sot ndoshta kanë kohë për t’i plotësuar me dokumente, pasi afatet janë më të gjata. Kësaj radhe të plotësojnë kriteret juridike të KQZ-së”, nënvizoi ai.

Periudha kohore për regjistrim të votuesve nga jashtë Kosovës është deri më 18 gusht.

Lexo edhe

Video

error: