Paralajmërohen ndëshkime të ashpra për manipulim të çmimeve

Paralajmërohen ndëshkime të ashpra për manipulim të çmimeve

Kryeinspektori i Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Lulzim Syla, bazuar në urdhëresën e ministres Rozeta Hajdari ka hartuar planin jashtëzakonshëm për gjendjen e krijuar nga koronavirusi.

Bazuar në këtë plan inspektorët janë në monitorim të tregut edhe jashtë orarit të punës, për t’i mbikëqyrur çmimet nëpër markete, me theks të veçantë produktet ushqimore dhe higjienike, në rast se ka ngritje të çmimeve.

Kryeinspektori Syla tha se pas shumë ankesave nga konsumatorëve për rritje të çmimeve, Inspektorati i Tregut ka dalë në terren dhe kanë filluar zbatimin e urdhëresës nga ministrja Hajdari.


“Sot kam komunikuar me drejtorët e inspektorateve komunale që së bashku të zhvillojmë aksionin e zbatimit të urdhëresës së ministres. Inspektorati do t’i kontrollojë dhe monitoroj të gjitha bizneset të cilët shesin produkte ushqimore dhe higjienike, dhe në rast se konstatohet se ka ngritje të çmimeve do të ketë masa të ashpra ndëshkuese”, ka paralajmëruar Syla.

Ai ka bërë të ditur se inspektorët nga sot do të kenë kontrolle të shtuara me orar të zgjatur për t’i mbajtur nën monitorim të gjithë operatorët ekonomikë.

“Kërkoj nga ana e bizneseve që të mos ngritin çmimet e produkteve dhe mos ta shfrytëzojnë koronavirusin për përfitime materiale”, tha Syla.

 

Lexo edhe

error: