Para fillimit të mësimit do të testohen disa nga mësimdhënësit në 15 komuna të Kosovës

Para fillimit të mësimit do të testohen disa nga mësimdhënësit në 15 komuna të Kosovës

12.4 milionë euro është  buxheti shtesë që Ministria e Arsimit ka ndarë për fillimin e vitit të ri shkollor, i cili do të fillojë me 14 shtator. E para fillimit të procesit mësimor, në 15 komuna të vendit do të testohen disa nga mësimdhënësit, ku në komunat më të vogla numri i mësimdhënësve që do të testohen është 50, ndërsa në ato më të mëdha do të jetë 100 mësimdhënës.

Në takimin e sotëm të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, me drejtorët e Arsimit të Komunave të Kosovës, u prezantuan përgatitjet që po bëhen për fillimin e vitit të ri shkollor dhe mënyrën se si do të ndahet buxheti për komunat.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës Ramë Likaj, tha se janë duke i bërë përgatitjet intensive për fillimin e vitit shkollor me 14 shtator.

Ai bëri të ditur se kanë marrë disa donacione për pajisje mbrojtëse për mësimdhënësit dhe nxënësit.

“Kemi pasur një ndihmë të jashtëzakonshme nga USAID që përmes UNICEF ka shpërndarë materiale mbrojtëse për rreth 66 shkolla, për mbi 2 mijë arsimtarë, ndërsa gjithashtu edhe përmbi 7 mijë nxënës të klasës së parë. Këto janë paketa për shkollën, paketa për stafin dhe për nxënësin. Po ashtu, jemi në proces të prokurimit të pajisjeve të teknologjisë informative ashtu siç kemi biseduar edhe herëve të tjera”, tha ai.

Në këtë takim, sekretari i Përgjithshëm i MASH, Agim Bërdyna, bëri të ditur se nga IKSHPK-ja kanë marrë konfirmimin për të testuar mësimdhënësit për COVID-19. Ai tha se në këtë fazë është përcaktuar që testimi të bëhet në 15 komuna, duke filluar nga 50 deri në 100 mësimdhënës.

Komuna e Deçanit është një nga komunat mësimdhënësit e të cilës do të testohen, ndërsa nuk janë bërë të ditura komunat tjera që janë përfshirë në këtë fazë të testimit.

“Porosia nga z.Naser është që për shkak të bashkëpunimit të ngushtë dhe rëndësisë që ka testimi i mësimdhënësve janë përcaktuar që në këtë fazë 15 komuna prej 50 deri në 100 mësimdhënës, të cilët ju do të jeni ata që do t’i caktoni duke e pasur parasysh krejt specifikat. Unë në email-in e z.Naser e pash Deçanin që është, po tash nuk po lëshohem në detaje, pastaj bashkërisht me ta dhe ne dhe njerëzit që janë të ngarkuar për këtë do të ecim tutje për këtë proces”, tha ai.

Disa nga drejtorët e Arsimit kanë shprehur pakënaqësi rreth përzgjedhjes së mësimdhënësve që do të testohen, ku pastaj ka reaguar zëvendësministri i MASH Xhavit Rexhaj, i cili tha se ky testim është një lloj hulumtimi për të kuptuar se si është gjendja epidemiologjike në personelin arsimor.


“Ky që po bëhet është hulumtim, për me krye hulumtim është një mostër e besueshme që jep rezultate të besueshme se ku është gjendja me komunitetin arsimor në Kosovë”, tha ai.

Ndërsa, sekretari i MASh Agim Bërdyna, tha se komunat janë ato që do të përcaktohen se cilët mësimdhënës do të testohen.

“Ju duhet me u përcaktua, tash unë as nuk guxoj të jap kësi profesionale, po është mirë me iu dhënë përparësi mësimdhënësve që kanë ndonjë sëmundje që mund të jenë më të rrezikuar. Për komunat e mëdha është 100, për komunat mesatare është 50. Do të thotë 50 deri në 100, nuk do të thotë që ai 15 i komunave është ai fiks dhe nuk do të vazhdojmë tutje. Dashtë Zoti që kjo të kalojë dhe nuk kemi nevojë as për ato 15, po tash për tash është kjo që jemi marrë vesh atë ditë”, tha ai.

Në anën tjetër, zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës Xhavit Rexhaj, prezantoi pakon e qeverisë për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021, e që tha se është 12.4 milionë euro.

Rexhaj tha se shkollat duhet të tregojnë që është anti-COVID në mënyrë që të fillojë mësimi, e nëse një gjë e tillë nuk bëhet ai tha se mësimi në atë shkollë do të mbahet në mënyrë online.

Certifikimi i shkollave si anti-COVID, ai tha se do të bëhet në bashkëpunim me Inspektoratin Sanitar dhe atë të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Shpenzimet që i ka nxjerrë Ministria për ju janë mirëmbajtja, dezinfektimi dhe pastërtia, sepse këtu ju keni shpenzime shtesë që nuk i keni të zakonshme, ju keni fondet e zakonshme këto janë shtesë për shkak të natyrës së intervenimit. Po ashtu, ministri i ka nxjerrë rreth 1 mijë norma plotësuese për me e zëvendësua mësimdhënësit për barrën shtesë që iu bien tash, sepse diku diku kemi me e nda shkollën në dysh. Por, mos të kemi keqkuptime, kurrikula është e kompresuar 80 përqind, ora është e ndarë në 30 minuta, nëse e llogaritë orën 30 minuta dhe kurrikulën e kompresuar 50 përqind është më pak. Prandaj, ne kemi mirëkuptim këtu që t’iu ndihmojmë juve që t’i përkrahni mësimdhënësit tuaj”, tha ai.

Rexhaj ka prezantuar edhe protokollin e reagimit ndaj pandemisë COVID-19 në shkolla, ku ka treguar se si do të veprohet në rastet kur paraqitet ndonjë rast i infektimit me COVID-19

“Paraqitet një rast i dyshimtë merren masat sipas udhëzimit, konfirmohet, nxënësit e asaj klase, jo vetëm grupi po edhe mësimdhënësit pse ka pasur punë me të gjithë, i gjithë grupi shkon në mësim online. Mësimi online zgjat dy javë, vlerësohet, kthehet, dy ose tri javë e kemi caktuar, tri javë e kemi caktuar për me qenë më të sigurt, por dy javë është cikli që mundet fëmijët e asaj klase me u kthye”, tha ai.

Në këtë takim është bërë edhe prezantimi i raportit rreth përgatitjeve të infrastrukturës shkollore për fillimin e vitit të ri shkollor. Drejtoresha e departamentit për infrastrukturë të ndërtesave arsimore Fadile Dyla, bëri të ditur se në realizim janë 63 projekte kapitale, prej tyre 37 shkolla janë në ndërtim prej të cilave tri prej tyre janë të gatshme në shtator, 6 renovime të objekteve shkollore prej tyre tri pritet të jenë të gatshme në shtator, ndërtimi i 4 çerdheve prej tyre 2 do të jenë të gatshme në shtator, 16 ndërtime të sallave të sportit. /M.Duraku/

Lexo edhe

Video

error: