Para 8 vjetësh Majlinda bëri historinë dhe fitoi të artën në Olimpiadë
Lexohet për: 3 min.
kelmendi-1
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Më 7 gusht 2016 e gjithë bota po fliste për Kosovën. Xhudistja Majlinda Kelmendi shkroi historinë, duke siguruar medaljen e parë të artë olimpike për Kosovën. Xhudistja pejane u tregua dominuese ndaj konkurrenteve, duke i fituar raundet një e nga një, për të mposhtur në finale, italianen Odette Giuffrida.


Kosovarja në kategorinë 52 kg fillimisht mposhti në gjysmëfinale japonezen Misato Nakamura, e cila eliminoi në çerekfinale rusen Natalia Kuziutina.


Ajo po ashtu mposhti në çerekfinale kundërshtaren Christianne Legentil. Fitoren e parë e arriti për vetëm 25 sekonda ndaj zviceranes, Evelyne Tschopp.


I gjithë opinioni botëror sportiv dhe në Kosovë foli për këtë arritje historike të Kosovës qysh në debutimin e saj në Lojërat Olimpike.


Pas këtij suksesi historik, Majlinda Kelmendit iu rezervua pritje madhështore në Prishtinë ku kampionia olimpike është parë shumë e lumtur. Ajo në konferencën për media në aeroportin “Adem Jashari”, falënderoi të gjithë, teksa tregoi se kishte një kaluar një periudhë të vështirë për shkak të lëndimeve për të rikthyer formën.

“Në Rio jam nisur për medalje të artë. Nuk ishte e lehtë pasi atje të gjithë ëndërrojnë të marrin atë medalje. Fatmirësisht gjithçka ka shkuar qysh e kam pritur. Lufta më e vështirë ka qenë kundër japonezes Nakamura, e cila ka qenë kohë më parë e kam pasur idhull. Tani arrita të garoj me të dhe të fitoj, ishin momente të papërshkrueshme. Në finale kam pasur bindjen se do të fitoj pasi jam shumë e motivuar dhe e dija se medalja e artë do të ishte e artë. Gjithë kjo sakrificë është bërë për popullin tim, kështu që urime të gjithëve”, ishin fjalët e para të Majlindës pas rikthimit në Prishtinë.

Majlinda Kelmendi u prit në Prishtinë si heroinë, nga mijëra tifozë e qytetarë të Kosovës, të cilët ajo i bëri krenarë.


Një autobus i hapur, i destinuar për kampionen botërore e olimpike, Majlinda Kelmendin, dhe për ekipin olimpik të Kosovës, defiloi rrugës prej Aeroportit deri në Prishtinë dhe në bulevardin “Nëna Terezë” në Prishtinë.


Mijëra qytetarë moshash të ndryshme duartrokitnin dhe thërrisnin e brohoritnin emrin e Majlindës.


Në këtë mënyrë ata i shprehën mirënjohje kampiones që e lartësoi emrin dhe flamurin e shtetit të Kosovës.


Një numër i madh i mediave ndërkombëtare i kanë dhënë hapësirë të madhe paraqitjes së Majlinda Kelmendit në Lojërat Olimpike në Rio de Zhaneiro.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024