Panik te qytetarët, të dhënat personale dalin jashtë Kosovës

Panik te qytetarët, të dhënat personale dalin jashtë Kosovës

Të dhënat personale të qytetarëve dhe automjeteve të tyre, në kundërshtim me ligjin janë transferuar në serverë online jashtë Kosovës nga kompanitë e sigurimeve, me kërkesë të Byrosë Kosovare, e cila ka lidhur marrëveshje me një kompani private për sistemin e polisave. Qytetarë të ndryshëm edhe pse janë ankuar sipas procedurave që parasheh ligji, nuk kanë marrë përgjigje.

Informatat personale të qindra e mijëra personave që kanë regjistruar dhe siguruar automjetet në Kosovë apo edhe ata që do të bëjnë veprimin e njëjtë në të ardhmen, janë transferuar në serverë online të kompanive të huaja, veprim ky jo vetëm i jashtëligjshëm por edhe i rrezikshëm për sigurinë personale dhe nacionale të vendit tonë.

Ky veprim ka ndodhur pasi Byroja Kosovare e Sigurimit i udhëzoi kompanitë e sigurimeve që ti japin të gjitha informatat e qytetarëve klientë, një kompanie private, e cila në vend të ndërtimit dhe mbajtjes së serverëve në vend, zgjodhi t’i transferojë të dhënat jashtë vendit.

Një bartje e tillë e informacioneve personale jashtë Kosovës ka alarmuar mjaft qytetarë, të cilët janë ankuar për mungesë transparence dhe mos informim për informatat personale, veprim ky që vjen ndesh me ligjin.

Qytetarja me inicialet A.G, ankesën e së cilës e ka edhe Rtklive, është ankuar në kompaninë e sigurimeve ku ka marrë polisën e sigurimit, në Bankën Qendrore të Kosovës dhe vet Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

“Nga kompania e sigurimeve nuk mora asnjë përgjigje megjithëse i ka dërguar disa herë ankesën ku kam kërkuar informacion. Banka Qendrore s’më ka kthyer asnjë përgjigje megjithëse ankesën e kam bërë që më datën 10 dhjetor. Vetëm nga Agjencia kam marrë një premtim që rasti im do të shqyrtohet. Jam e shqetësuar për mundësitë e keqpërdorimit të dhënave personale”, tha për Rtklive A.G, ankesat e së cilës i disponon redaksia.

“Agjencia për Informim dhe Privatësi, ka pranuar një kërkesë me dt. 10.12.2021, në të cilin keni shpreh shqetësim lidhur me mundësinë e keqpërdorimit të të dhënave personale nga kompania e sigurimeve (emër i njohur për redaksinë,  ku keni kërkuar nga Agjencia që të kryejë inspektim dhe kontrolle në për të verifikuar nëse të janë cenuar të dhënat personale të juaja, si dhe nëse kompania e sigurimeve ka transferuar këto të dhëna në ndonjë shtet tjetër.


Agjencia në planin e punës së saj ka të parapara edhe inspektimet sipas detyrës zyrtare në  kompanitë e sigurimeve , ku me këtë rast do të trajtojë edhe çështjen e dyshimit të cilën e keni ngritur ju në këtë kërkesë”, thuhet në përgjigjen e dërguar nga kjo agjenci për qytetaren A. G.

Tutje, aty theksohet se bazuar në Ligjin Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (në tekstin e mëtejme LMDHP)  në neni 12, kontrolluesi në momentin kur i merr të dhënat personale është i obliguar t’i jep informacione të përcaktuara në këtë nen, në të cilin nen është i përfshirë edhe qëllimi i përpunimit të të dhënave si dhe sipas rastit faktin që kontrolluesi synon të transferojë të dhënat personale te një vend”, thuhet tutje në përgjigjen e Agjencisē.

“Këto i kam kërkuar edhe unë duke u bazuar në ligjet në fuqi”, tregon A. G. për Rtklive.

Përveç A.G Rtklive disponon ankesat edhe të mjaft qytetarëve të tjerë.

Në fakt, bartja e të dhënave personale të qytetarëve të Kosovës në serverët e kompanisë Microsoft Azuro, nga Byroja dhe kompanitë e sigurimeve, duket që është një operacion i paautorizuar pasi asnjë nga institucionet e pyetura nuk ishin në gjendje të ofronte ndonjë dokument se një gjë e tillë është kryer me autorizim nga Agjencia dhe sipas ligjeve në fuqi.

Neni 44 i të njëjtit ligj saktëson se transferimi i të dhënave personale duhet të bëhet sipas rregullave në fuqi, ku kërkohet dhe pëlqimi i personave paraprak të cilëve i janë marrë të dhënat.

“Dyshimet tona për bartjen e të dhënave personale jashtë Kosovës është edhe më evident tani që jam ankuar në të gjitha institucionet dhe asnjë prej tyre nuk po jep përgjigje”, thotë qytetari me inicialet B. G.

Rtklive i ka dërguar pyetje Agjencisë për Informim de Privatësi, Bankës Qendrore të Kosovës, prej disa ditësh, por ende nuk ka marrë përgjigje, të cilat do t’i botojë në momentin që do t’i merr redaksia./Rtklive

Lexo edhe

Video