Lajme   Biznes   Sport   Covid-19   Video   Kulturë   Magazina   Ngjarje

Pandemia dhe kontrabanda sfiduan Shërbimin Korrektues në vitin 2020

Pandemia dhe kontrabanda sfiduan Shërbimin Korrektues në vitin 2020

COVID-19 nuk kurseu as të burgosurit dhe stafin e Shërbimit Korrektues të Kosovës, përkundër masave që janë ndërmarrë me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit. Deri në mesin e dhjetorit në këtë institucion pozitivë me koronavirus kanë qenë 136 zyrtarë dhe 32 të burgosur, dy prej të cilëve në moshë më të shtyrë humbën edhe jetën por që vuanin edhe nga sëmundje të tjera shoqëruese.

Nga ky institucion thonë se përkundër këtyre rasteve, pandeminë kanë arritur ta menaxhojnë mjaftë mirë, por që kjo situatë ka ndikuar që disa projekte që ishin paraparë për vitin 2020 të ngecin.

Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi në një intervistë për KosovaPress, deklaroi se viti 2020 ka qenë sfidues. Por përkundër kësaj, ai thotë se brenda burgjeve të Kosovës asnjë aktivitet nuk është pezulluar.

“Pavarësisht vështirësive, ne nga marsi kemi arritur ta menaxhojmë mjaftë mirë situatën. Diku deri në shtator nuk kemi pasur të burgosur të infektuar, pas shtatorit i kemi pasur të parët. Deri tash kemi arritur ta menaxhojmë mjaftë mirë, kemi një numër diku 136 të infektuar nga stafi, 32 të burgosur, fatbardhësisht nuk kemi me pasoja fatale. Së fundi kanë qenë dy të moshuar të cilët kanë ndërruar jetë në Spitalin e Pejës. Ata kanë ndërruar jetë për shkak të sëmundjeve të tjera por në të njëjtën kohë kanë qenë edhe të infektuar me COVID. Ka qenë vit mjaft sfidues ne si Shërbimin Korrektues kemi arritur ta realizojmë planin tonë vjetor, edhe pse objektivi ynë ka qenë 96 përqind deri 98%. Sipas të dhënave ne do arrijmë ta shpenzojmë buxhetin 92% që është e arritur mjaft e madhe në kohë pandemie. Por gjithashtu ne aktivitetet tona brenda burgjeve nuk i kemi ndaluar asnjë moment”, tha ai.

Me qëllim që të frenohej përhapja e koronavirusit në burgjet e Kosovës ishin ndërprerë vizitat familjare, por të burgosurve, Shërbimi Korrektues iu mundësoi telefonata më të shpeshta me familjarë dhe komunikim virtual përmes Skype, që tashme është i instaluar nëpër disa qendra korrektuese dhe të paraburgimit.

Thaçi deklaroi se ndalesa e vizitave nëpër burgje nuk kaloi pa rezistencë nga të burgosurit.

“Nuk ka kaluar pa rezistencë kjo situatë, mirëpo me kohën edhe të burgosurit e kanë kuptuar se këto vendime kanë qenë për shëndetin e tyre dhe të mirën e tyre. Sado pak sistemi i komunikimit virtual me familjarët e tyre ka dhënë produktivitetin e vetë edhe kjo është shfrytëzuar në masë të madhe nga të gjithë. Duke pasur parasysh faktin që të gjithë ne kosovarët i kemi familjarët në diasporë, prandaj përmes kësaj mundësie atyre iu është mundësuar që të kenë kontakte me familjarët jashtë Kosovës. Prandaj, ky ka qenë një benefit për ta. Sigurisht ka pasur reagime, por jo në masë të madhe, ka pasur pakënaqësi”, theksoi Thaçi.


Sfidë për Shërbimin Korrektues në fillim të marsit dhe prillit, ishte sigurimi i pajisjeve mbrojtëse, por Thaçi deklaroi se situata u përmirësua dhe të burgosurit filluan të prodhonin vetë maska.

Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës tregoi që me qëllim që të mbanin nën kontroll situatën me pandeminë në burgjet e Kosovës, çdo i burgosur i ri fillimisht është karantinuar për 14 ditë.

“Çdo i ardhur i ri ka kaluar nëpër fazën 14-ditore të karantimimit, aty janë marr të gjitha masat në rastet se kur kemi pasur infektime që kanë qenë të rralla fillimisht, me doktorin Milazim Gjocaj është organizuar lista e kontakteve kështu që mbi 60 përqind e të burgosurve tanë kanë kaluar përmes testit të COVID-it, kjo ka qenë mënyra e menaxhimit, pothuajse ka qenë një protokoll i ngjashëm me protokollin e jetës civile përjashtimit ka qenë karantina që ka qenë e domosdoshme”, u shpreh ai.

Një tjetër sfidë për Shërbimin Korrektues mbetet edhe kontrabanda brenda burgjeve. Thaçi pohon se rastet më të shpeshta janë kontrabanda me substanca narkotike, e po ashtu edhe me përdorimin e telefonave.

Për zyrtarët korrektues të cilët po e mundësojnë kontrabandën, udhëheqësi i burgjeve të Kosovës thotë se kanë nisur procese hetimore.

“Ky është realitet i hidhur në Shërbimin Korrektues të Kosovës si duket brenda Shërbimit Korrektues ekziston një numër i vogël i zyrtarëve korrektues apo stafit civil të cilët për interesa private keqpërdorin detyrën zyrtare dhe zbehin imazhin e Shërbimit Korrektues. Ne bashkërisht me të gjithë të tjerët në baza ditore jemi duke u angazhuar që të identifikojmë këta keqpërdorues të cilët për interesa persona zbehin imazhin tonë dhe keqpërdorin detyrën e tyre zyrtare. Jemi shumë në dijeni për këtë situatë dhe në baza ditore provojmë ta luftojmë këtë fenomen mjaft negativ dhe kohë pas kohe po arrijmë rezultate. Para një kohe jo shumë të largët është arrestuar një zyrtar korrektues për shkak të keqpërdorimit që ka futur brenda narkotik dhe në Dubravë është arrestuar një (punonjës) staf civil i cili në të njëjtën mënyrë ka futur kontrabandë brenda. Situatë më e theksuar fatkeqësisht duhet ta pranoj këtë realitet të hidhur e kemi në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ku nga një bastisje në kohët e fundit, edhe pse nuk kemi vizita, ne kemi arritur të identifikojmë disa telefona, jemi në hetim”, tha ai.

Fokusi i Shërbimit Korrektues të Kosovës për këtë vit mbetet vazhdimi i projekteve për trajnimin e stafit korrektues dhe rregullimi i infrastrukturës në burgjet e Kosovës. Aktualisht, në burgjet e Kosovë janë rreth 1500 të burgosur.

Lexo edhe

Video

error: