Pandemia dhe faktorët socio-ekonomikë, dhuna në familje vijoi trendin rritës edhe më 2021

Dhuna në familje vazhdon të mbetet një fenomen shqetësues në vendin tonë. Të dhënat e Policisë së Kosovës, që i përkasin periudhës janar-nëntor 2021, flasin për një rritje me 13.10% të rasteve të dhunës në familje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020. Gjatë kësaj kohe janë shënuar edhe 6 raste vrasjesh mes anëtarëve të së njëjtës familje. Psikologët mendojnë se pandemia mund të ketë ndikuar në rritjen e rasteve të dhunës, por pa harruar edhe faktorët e tjerë socio-ekonomikë. Kërkesat për strehim janë rritur me 35% edhe në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë.

Policia e Kosovës ka intervenuar në rreth 2200 raste të dhunës në familje për 11 muajt e parë të vitit të kaluar, ku në 78% të rasteve viktimë është femra, ndërsa në 47% të rasteve mosmarrëveshjet kanë ndodhur mes bashkëshortëve.

Kapiten Arsim Shala, shef i sektorit kundër Dhunës në Familje në Policinë e Kosovës, shpreson se mbrapa shifrave në rritje të jetë vetëdijesimi i qytetarëve për të raportuar rastet dhe jo edhe vet fenomeni i dhunës në familje.

“Në bazë të të dhënave tona si Polici e Kosovës, dhuna në familje viteve të fundit ka shënuar dukshëm rritje. Ne shpresojmë që kemi të bëjmë me rritje në raportim të rasteve të dhunës në familje sepse dhuna si e tillë ka ekzistuar edhe në të kaluarën, por shpresojmë që ka ndikuar në këtë aspekt edhe vetëdijesimi i popullatës. […] Periudha janar-nëntor 2021 ka shënuar rritje në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2020, në Policinë e Kosovës janë raportuar 2 mijë e 198 raste e që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të 2020 që kanë qenë 1 mijë e 910 raste, kemi rritje për 288 raste apo shprehur në përqindje 13.10%”, theksoi ai.

Numri më i lartë i viktimave i përket gjinisë femërore, krahasuar me meshkujt që vetëm 500 prej tyre kanë qenë viktimë e dhunës brenda familjes gjatë vitit të shkuar. Forma më e shprehur e dhunës është ajo e bashkëshortit ndaj bashkëshortes.

“Nga dhuna në familje janë të prekur pothuajse të gjithë anëtarët e familjes, mirëpo, viktima në numrin më të madh janë gjinia femërore, në periudhën janar-nëntor 2021 nga gjithsej 2 mijë e 198 raste prej tyre kanë qenë 2 mijë e 240 viktima, ku 1 mijë e 744 janë femra, kurse 498 janë meshkuj. Pra, diku rreth 78% janë viktima femrat ndërsa, 22% janë meshkuj. Por, siç e thash pothuajse nga dhuna në familje janë prekur të gjithë anëtarët, dhuna më e shprehur dhe më e raportuar është mes dy bashkëshortëve ku kjo periudhë kohore flet për diku 1 mijë e 52 viktima apo 47% të rasteve kanë ndodhur në mes të bashkëshortëve”, deklaroi kapiteni Shala.

Në gjashtë raste të ndryshme, dhuna në familje vitin e kaluar përfundoi me fatalitet.

“Gjatë periudhës janar-nëntor 2021 në Policinë e Kosovës janë raportuar gjithsej 6 raste të vrasjeve të dhunës në familje, mund të them për fat të keq kemi numër të konsiderueshëm të këtyre rasteve një rast burri e ka vrarë gruan, pastaj një rast tjetër kemi kur burri ka vrarë ish bashkëshorten e tij dhe më pas ka vrarë edhe vetën, me një rast kemi kur nipi ka vrarë gjyshin e tij, një rast ka qenë babai djalin dhe një rast tjetër motra ka vrarë motrën dhe një rast tjetër vëllai ka vrarë vëllain”, përfundoi zyrtari policor”, tha Shala.


Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë, institucion ky që siguron strehim, këshillim dhe ndërgjegjësim në lidhje me dhunën në familje, ka pasur rritje prej 35% të kërkesave për strehim në vitin 2021 krahasuar me vitin 2020.

Drejtoresha e kësaj qendre, Zana Hamiti, deklaroi për KosovaPress se vitin e kaluar janë strehuar 127 viktima të dhunës në familje. Mosha që përjeton më së shumti dhunë është ajo mes 20 deri në 35 vjeç.

“Edhe tek ne ka pasur, mund të them një rritje për 30-35% krahasuar me vitin paraprak (2020) edhe pse në vitin paraprak (2020) kemi qenë në vit kur është shfaqur për herë të parë pandemia, viktimat kanë hezituar frikën nga infektimi nga COVID, ka pasur kërkesa më të vogla për strehim. Në vitin paraprak i kemi pasur të strehuara 74 raste, ndërsa prej janarit deri në dhjetor (2021) 124 raste. […] Kuptohet Prishtina ka numër më të madh të banorëve, mbi 50% (të viktimave të strehuara) janë të komunës së Prishtinës pastaj është Fushë-Kosova, Drenasi e kështu me radhë”, u shpreh ajo.

Psikologu Yll Avdijaj shpjegoi për KosovaPress shkaqet që çojnë deri në dhunë brenda një familjeje. Sipas tij, përpos pandemisë, ndikojnë edhe faktorë të tjerë që mund të jenë të lidhura me zakonet si dhe me problemet socio-ekonomike.

“Sigurisht që pandemia është një prej shkaktarëve që i ka ngacmuar, por nuk është shkaktari direkt pasi që aty ka mund të ketë shkaktar të ndryshëm të cilët mund të vijnë deri tek dhuna . Shpeshherë është ai rendi, sistemi familjar mbi të cilin jetojnë, rregullat, parimet, mbi të cilat jetojnë, ajo lufta mes koncepteve apo lufta mes gjeneratave ku ndeshën konceptet ose botëkuptimet brenda familjes. Një ndër shkaktarët që mund të jetë shpeshherë është edhe problemet psikike, nëse në familje ndodh të ketë ndonjë anëtar i familjes ndonjë çrregullim të personalitetit, ndodh që edhe kjo të çojë deri tek dhuna, pastaj janë edhe zakonet, normat e traditat të cilat na shpeshherë i kemi trashëguar që përmes dhunës të zgjidhen problemet, tjetër është edhe konfliktet e llojeve të ndryshme që mund të hasen brenda familjes ku shpeshherë mund të jetë edhe pjesa e problemeve ekonomike, sociale e të tjera”, theksoi psikologu Avdijaj.

Në Ministrinë e Drejtësisë thonë se trajtimin e dhunës në familje e kanë ndër prioritet kryesore. Sipas tyre, krahas punës që po bëjnë në ngritjen e vetëdijes për raportim të dhunës në familje, janë angazhuar edhe në hartimin e strategjisë kundër dhunës në familje.

Mungesën prej një viti të strategjisë kundër dhunës në familje e ka kritikuar institucioni i Avokatit të Popullit, që kërkon që të rregullohet infrastruktura ligjore duke kërkuar nga autoritetet të jenë më të përgjegjshme në këto çështje.

Në vitin 2016 në Policinë e Kosovës ishin raportuar 1225 raste të dhunës në familje, në vitin 2017 ishin raportuar 1 mijë e 269 raste. Në vitin pasues, atë 2018, pati 268 raste më shumë. Numrat vazhduan rritjen edhe në vitin 2019 ku ishin raportuar 1 mijë e 914 raste. Në vitin 2020 rastet e dhunës në familje të raportuara në Policinë e Kosovës kanë shkuar në 2 mijë e 69 të tilla.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.