Panairi “Klik Ekspo Group”, ekspozohen produktet e bizneseve rajonale

Në tri katet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë po ekspozohen produktet e shumë bizneseve rajonale dhe shteteve tjera në botë.

Pasditen e së mërkurës është bërë hapja e panairit më të madh ndërkombëtar të biznesit “Klik Ekspo Group”.

Panairi që përcillet me sloganin “Një Ballkan i vetëm, Ballkan më i fortë” do të zgjasë katër ditë. KosovaPress është sponsor medial në Panairin Ndërkombëtar në Tiranë. Po ashtu, KosovaPress është edhe pjesëmarrëse në panairin e organizuar nga Klik Ekspo Group.

Për herën e 27-të, shumë vende të Ballkanit në Shqipëri po sjellin një manifestim tregtar për ringjallje sociale dhe rimëkëmbje ekonomike.

Presidenti i këtij panairi, Luan Muhametaj tha se në tri katet e pallatit të kongreseve po përfaqësohen biznese nga shumë vende të rajonit.

“Mirënjohja ime është për të gjithë pjesëmarrësit, firmat, dhomat e tregtisë, përfaqësuesit tanë në gjithë këtë zonë ballkanike. Duke vlerësuar shumë Serbinë, Kosovën, Maqedoninë, Bosnjën Hercegovinën, Turqinë, Italinë. Pra, të gjithë vendet pjesëmarrëse”, tha ai.


Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj tha se duhet të prodhohen më shumë produkte se sa legjenda. Sipas tij, në këtë formë do të fuqizohet ekonomia.

“Vizioni i kryeministrit Edi Rama në promovimin e Ballkanit të hapur, nuk është propozimi që të jemi dakord për gjithçka. Por, për ato gjëra që biem dakord, siç është një tregti pa kufi, siç është një lëvizje pa kufi, siç është një njohje e licencave, e patentave, dokumenteve doganore, njohja e rezidencës. Për të gjitha këto arsyeje nëse janë gjëra që biem dakord le të ecim përpara”, u shpreh Veliaj.

Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj në hapjen e këtij panairi theksoi se kanë iniciativa të shumta për lehtësimin e komunikimit në rajon.

“Kjo ministri po përpiqet shumë të krijojë në terren, në infrastrukturë. Dhe pikërisht nëpërmjet korridoreve ajrore dhe tokësore ato që në fakt po bën infrastrukturën e së ardhmes, e cila në vetvete duhet të ketë ndërlidhjen me  partnerët ndërkombëtarë dhe rajonalë.. Kemi plan për zhvillimin portual të vendit në Durrës pikërisht me portin e mallrave dhe në Vlorë dhe shoqëruar me portet ajrore”, theksoi ajo.

Edhe për kryetaren e Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, Ines Muçostepa, ky panair është më i rëndësishmi në Ballkan.

Në panairin e 27-të të biznesit për herë të parë marrin pjesë njëkohësisht gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu edhe institucioneve zyrtare, organizatat e biznesit, dhoma të ekonomisë, tregtisë dhe industrisë siç është dhe organizatave joqeveritare. Panairi i biznesit “Klik Ekspo Group” do të qëndrojë i hapur deri më 4 dhjetor.

Video

4 Comments

Komentet janë të mbyllura.